12 të vdekur e 40 të zhdukur pas përmbytjeve në Afganistan

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 40 të tjerë janë zhdukur, pas përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në Afganistanin qendror, ka njoftuar një zëdhënës i autoriteteve të udhëhequra nga talibanët, të dielën.

Zabihullah Mujahid ka thënë më 23 korrik se ndihma urgjente po dërgohet në zonën e katastrofës, në qarkun e Jalrezit, në provincën Maidan Vardak.

“Me pikëllim të thellë kemi marrë lajmin se 12 prej qytetarëve tanë janë martirizuar dhe 40 të tjerë janë zhdukur”, ka thënë ai përmes një komunikate, raporton AFP.

“Janë shkaktuar edhe disa humbje financiare”, ka bërë të ditur zëdhënësi.

VIDEO

Zyra e guvernatorit provincial ka thënë nëpërmjet një komunikate se qindra shtëpi janë dëmtuar apo shkatërruar, dhe se njerëzit e zhdukur besohet të jenë nën rrënojat e shtëpive të shembura.

Sipas komunikatës, qindra hektarë toke bujqësore janë përmbytur dhe shkatërruar, ndërsa autostrada ndërmjet kryeqytetit Kabul dhe provincës qendrore Bamijan është mbyllur për shkak të vërshimeve./REL