11 vdekje në vendin e punës, numri i inspektorëve mbetet i njëjtë

Pavarësisht që është premtuar shumë herë që do të pesëfishohet numri i inspektorëve të punës kjo akoma nuk ka ndodhur. Nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës kanë thënë se rritja e numrit të tyre është e domosdoshme në mënyrë që të evitohen vdekjen në  vendin e punës. Vetëm deri tani që nga janari kanë vdekur 11 punëtor në vendin e punës.

11 punëtorë të sektorit privat kanë gjetur vdekjen në vendin e punës vetëm deri tani në 2022-tën. E për ti parandaluar këto vdekje, janë vetëm 28 inspektorë të punës që monitorojnë të gjithë vendin.

Ndërkohë, pesëfishimin e tyre e kishte premtuar kreu i ekzekutivit, Albin Kurti në fillim të marrjes së mandatit e madje edhe këtë një maj, ditën e punëtorëve.

“Do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve që të kemi siguri në punë dhe të sigurohemi për korrektimin e padrejtësive që mund t’u bëhen punëtorëve në vendet e tyre të punës”, kishte thënë në Facebook Albin Kurti.

Pavarësisht premtimeve, në faqen e Inspektoratit të Punës që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk është hapur asnjë konkurs.

Madje nuk i kanë kthyer përgjigjtë televizionit nëse po planifikohet të hapët një i tillë. Përgjigje nuk kanë kthyer as nga Qeveria e Kosovës.

Në ndërkohë, rritjen e inspektorëve të punës të domosdoshme po e konsideron, Jusuf Azemi nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës.

“Vet fakti që nuk është shtuar numri i inspektorëve bën me dije që as kjo qeveri e as të kaluarat nuk i kanë kushtuar vëmendje punëtorëve të sektorit privat duke e ditur që kemi një përkeqësim të gjendjes së punëtorëve të sektorit privat në shumë aspekte e sidomos kur numri i punëtorëve të vdekur në vendin e punës po shtohet çdo ditë”, ka thënë Jusuf Azemi – SPSPK.

Në vitin 2021 në vendin e punës kishin vdekur 14 punëtor ndërsa në vitin 2020 kishin vdekur 15 punëtorë. /PD