11 muajt e taksës, ulën importin nga Serbia për 99 për qind

Taksa 100 % ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës në 11 muajt sa është zbatuar, ka ul importin nga këto shtete. Përkundër kësaj, prodhuesit vendor nuk kanë arritur të mbulojnë boshllëqet e lëna nga këto produkte.

11 muaj pas vendosjes së saj Taksa 100% ndaj produkteve serbe dhe nga Bosnja ka ulur për 99% importin e produkteve nga këto dy vende. Sipas Doganës së Kosovës krahasuar me vitin e kaluar kur Kosova ka importuar nga Serbia në vlerë 450 milionë euro, gjatë këtij viti është importuar në vlerë 5 milionë.

“Nëse e marrin si shembull vitin paraprak, kemi importuar nga Serbia 450 milionë euro mallra. Ndërsa pas vendosjes së taksës vlera e importeve nga Serbia ka rënë në 5 milionë euro”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Adriatik Stavileci.

Ndërkaq pas vendosjes rënie ka pësuar edhe eksporti i produkteve në drejtim të Serbisë. Sipas Doganës pas vendosjes së taksës Kosova në Serbi eksporton mesatarisht 2 milionë euro në muaj.

“Kosova jo që ka pasur ndonjë eksport të madh në Serbi. Ne kemi eksportuar në Serbi rreth 25-30 milionë euro brenda një viti. Por taksa ka ndikuar në uljen e eksporteve tona drejt Serbisë”, deklaron Adriatik Stavileci.

Naim Gashi, njohës i çështjeve ekonomike ka thënë se përkundër faktit se taksa ka ndikuar në uljen e importit nga Serbia, prodhuesit vendor nuk kanë pasur kapacitet për të mbuluar tregun.

“Sa i përket ndikimit të kësaj takse në ekonomi, pritjet kanë qenë më të mëdha. Mirëpo marrë parasysh se importi i mallrave gjatë vitit 2019 do ta kalojë shifrën prej 3 miliardë euro, atëherë shihet se prodhimi vendor nuk ka arritur ta kompensojë hendekun që kanë krijuar mallrat e Serbisë”, deklaroi Naim Gashi.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se prodhuesit vendor nuk janë favorizuar shumë nga taksa, mirëpo shtoi se taksa e ka vetëdijesuar konsumatorin dhe kjo vlen edhe pas heqjes së taksës.

“Me kapacitet që kanë pasur kompanitë tona, të cilat ndër vite janë ballafaquar me konkurrencën e produkteve serbe dhe nuk kanë mundur të zhvillohen si duhet, ato sadopak e kanë mbuluar boshllëkun që kanë krijuar produktet serbe dhe tash është riorientuar një pjesë e tregtisë dhe nuk pres rikthimin e dominimit të produkteve serbe siç kanë qenë”, deklaroi Berat Rukiqi.

Lidhur me shkrimet që kanë qarkulluar ditëve të fundit se eksporti i Kosovës në Serbi është bllokuar në dy muajt e fundit, Dogana e Kosovës hedh poshtë këto lajme me arsyetimin se në raportin e publikuar për eksportin Janar-Shtator 2019 ka ndodhur një gabim teknik që është rregulluar dhe s’ka të bëjë me bllokim.

loading…