FSK

Njëri nga të plagosurit mbrëmë në Pejë është pjesëtar i FSK-së

Është arrestuar Agron Gashi, me nofkën “Gon Ozdrimi”, i dyshuari kryesor për plagosjen e tre personave në Pejë, shkruan Ballkani.info.

Një nga të plagosurit nga të shtënat me armë gjatë natës së mbrëmshme në Pejë, është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Bëhet fjalë për J.B. i cili së bashku me dy familjarë të tij mbetën të plagosur të mërkurën në Pejë.

Lajmin për Ballkani.info e ka konfirmuar nënkoloneli i FSK’së Vëllazërim Qerimi.

”E konfirmojmë se personi në fjalë është pjesëtar i FSK-së, me inicialet J.B”, duke e cituar përgjigjen e FSK-së.

Ndërsa, zëdhënësi për media dhe informim në Prokurorinë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka deklaruar se me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë

 “Pas një punë intenzive dhe një punë të plotë me krimet e rënda, personi i dyshuar është lokalizuar dhe është arrestuar nga Policia e Kosovës. Dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë”, tha ai.

Edhe policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ka njoftuar për arrestimin e të dyshuarit.

“Pas njё pune intensive operativo-hetimore tё hetueseve tё Sektorit Rajonal pёr Hetime tё mbёshtetur edhe nga njësitet tjera tё DRP Pejё, sot me datё 23.05.2024, ёshtё arritur tё lokalizohet dhe arrestohet i dyshuari: Agron Gashi i lindur me 19.11.2002. Personi i dyshuar pas intervistimit nga Hetuesit e Sektorit Rajonal, me urdhër tё Prokurorit tё shtetit ndalohet pёr 48- orё pёr veprën penale “Vrasje e rëndë nё tentativё”.

Njëri prej të plagosurve në Pejë mbrëmë është në gjendje kritike, ndërsa dy të tjerët janë në gjendje të rëndë, por më stabile sesa i plagosuri tjetër.

Ndryshe, tre persona janë plagosur me armë zjarri mbrëmë rreth orës 21:25 në Pejë.

Të plagosurit u transferuan nga Spitali i Pejës në QKUK në gjendje të rëndë.