103 bashkatdhetarë u mashtruan me bileta të udhëtimit – Këta janë drejtuesit e agjencioneve që u arrestuan si të dyshuar për mashtrim

Mbi 100 persona janë mashtruar me biletat e udhëtimit nga agjencitë në Kosovës. Në prangat e policisë deri tash kanë rënë tre persona, dy prej të cilëve bashkëpronar të një agjencioni e një menaxher, të cilët tashmë ndodhen në paraburgim

Në sezonin e verës mashtrime të mëdha u bëhen mërgimtarëve me biletat e udhëtimeve nga agjenci jo serioze.

Vetëm gjatë muajve të fundit mbi 100 bashkatdhetar janë mashtruar. Kjo shifër u bë e ditur në një përgjigje nga Policia e Kosovës për Insajderin.

“Lidhur me interesimin tuaj, u njoftojmë se edhe këtë vit në periudhën kur rritet numri i ardhjes së bashkatdhetarëve, paraqiten edhe raste të mashtrimeve me avio-bileta”.

“Policia- DHKEK dhe Njësia për Hetime te Krimeve Kibernetike ne koordinim me prokurorin kanë zhvilluar një numër i aktiviteteve operativo-taktike dhe hetimore. Deri më sot në lidhje janë paraqitur njëqind e tre persona (viktima-ankues) dhe janë në paraburgim dy të dyshuar”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Mirëpo policia nuk ka treguar se a u janë kompensuar mërgimtarëve paratë e shpenzuara në bileta, nga këto agjencione.

Kush janë personat që mashtruan bashkatdhetarët?

Deri tash të paktën zyrtarisht dihen emrat e tre zyrtarë të agjencioneve, që dyshohen se kanë përfituar nga mashtrimi i mërgimtarëve me biletat e udhëtimit.

Të enjten e javës së kaluar policia arrestoi Roland Idrizaj, në Pejë. Idrizaj është menaxher në agjensionin turistik ‘Express Travel.

Në njoftimin e Policisë thuhet se më datё 07.08.2022, rreth orёs 14:20, nё Stacionin Policor nё Pejё, janё paraqitur tre persona si viktima tё mashtrimit me bileta tё udhёtimit, e mё pas edhe pesёmbёdhjetё tё tjerё.

“Tё njёjtit deklarojnё se nё afate tё ndryshme kohore nё vitin 2022, gjatё sezonit verorё kanё rezervuar bileta tё aeroplanit vajtje-ardhje pёr ta dhe familjarёt e tyre nga shtete tё ndryshme tё Europёs pёr nё Kosovё. I dyshuari tё njejtit i ka vёnё nё lajthim me qёllim pёrfitimit personal, duke iu rezervuar bileta vetёm nё njërin drejtim ndёrsa paratё iu ka marrё qytetarёve pёr dy drejtimet”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Mashtroi mërgimtarët me bileta, arrestohet menaxheri i një agjencie në Pejë

Pas fillimit tё hetimeve nga Stacioni Policor Pejё, i dyshuari nuk ka qenё i qasshёm. Kurse familja e tij me me datё 8 gusht e kishte paraqitur në Polici si person të zhdukur.

Por pas hetimeve nga policia u arrestua si i dyshuar Roland Idrizaj, i lindur me 1990, dhe pas intervistimit me vendim tё Prokurorit tё Shtetit ai ёshtё ndaluar pёr 48-orё.

Pas kërkesës së Prokurorisë, ndaj Idrizajt u caktua masa e paraburgimit prej një muaji, shkruan Insajderi.

Vetëm pak ditë më herët, në fillim të muajit gusht u arrestuan edhe dy bashkëpronarët e agjencionit “Prishtina Jet”.

Mashtruan diasporën me bileta – Arrestohen dy pronarët e agjencisë “Prishtina Jet”

Dy bashkëpronarët M.K dhe A.B., sipas prokurorisë dyshohen për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Shmangia nga tatimi”.

“ Të dyshuarit përmes Agjencisë Turistike “Prishtina Jet”, u kanë shitur të dëmtuarve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e perëndimit për në Kosovë, duke ju ofruar oferta për blerje të biletave fiktive me një çmim shumë më të lirë se sa çmimi real, të cilat fluturime kanë qenë fiktive dhe si të tilla nuk janë realizuar përkundër pagesave që janë bërë nga të dëmtuarit, çka me këtë përpos dëmeve të mëdha financiare, të dëmtuarve dhe familjarëve të tyre u kanë shkaktuar edhe maltretime psiqike duke i braktisur dhe lënë nëpër aeroporte të ndryshme të perëndimit pa i realizuar fluturimet e premtuara rrejshëm nga të pandehurit”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se, prokurori i çështjes ka kërkuar caktimin e paraburgimit në gjykatën kompetente për të pandehurit M.K., dhe A.B., në drejtim të veprave penale “Mashtrimi” dhe “Shmangia nga tatimi”, të parapara sipas KPRK-së.

Sipas prokurorisë dy të dyshuarit, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme i kanë vu në lajthim një numër të konsiderueshëm bashkatdhetarësh.

“Përmes Agjencisë Turistike “Prishtina Jet”, u kanë shitur të dëmtuarve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e perëndimit për në Kosovë, duke ju ofruar oferta për blerje të biletave fiktive me një çmim shumë më të lirë se sa çmimi real, të cilat fluturime kanë qenë fiktive dhe si të tilla nuk janë realizuar përkundër pagesave që janë bërë nga të dëmtuarit, çka me këtë përpos dëmeve të mëdha financiare, të dëmtuarve dhe familjarëve të tyre u kanë shkaktuar edhe maltretime psiqike duke i braktisur dhe lënë nëpër aeroporte të ndryshme të perëndimit pa i realizuar fluturimet e premtuara rrejshëm nga të pandehurit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Me këto veprime, të dyshuarit sipas prokurorisë ngarkohen me veprën penale “Mashtrimi”.

“Ndërsa, i pandehuri M.K., në cilësinë e personit përgjegjës të subjektit afarist të lartcekur, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka bërë shmangie nga pagesa e tatimeve të parapara me legjislacionin tatimor në Kosovë, në atë mënyrë që i njëjti nuk i ka deklaruar saktë të hyrat dhe arkëtimet e realizuara nga qarkullimi i biznesit të tij te organet kompetente, respektivisht te ATK-ja”, thuhet në njoftimin e policisë.

Me këtë, i pandehuri kishte për të kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga nenin 307 të KPRK-së.

Mashtruan diaporën me bileta – Kërkohet paraburgim për bashkëpronarët e “Prishtina Jet”

Ndaj tyre, Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Policia ka bërë thirrje që të gjithë mërgimtarët që kanë rënë pre e mashtrimeve me biletat e udhëtimit të paraqiten në stacionet policore më të afërta për dhënë dëshmitë e tyre rreth kësaj çështjeje.

“Ftojmë të gjithë ata që kanë rënë pre e mashtrimeve më bileta aeroplani të lëshuara nga kompania “Prishtina Jet”, të paraqitën në polici në mënyrë që secili rast të trajtohen nga ana e policisë dhe që të sigurohen prova shtesë për ketë rast. Palët mund të paraqitën te hetuesit në Njësit Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të PK-së, në: Prishtinë, Mitrovice- jug, Mitrovice Veri, Pejë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan”, thuhej në kërkesën e policisë.