“10 shkurti” | Albin Kurti thoshte “Veton Surroi e sheh andërr Titon”, po tani “ëndërron” edhe për të

“Veton Surroi e sheh andërr Titon”, thoshte Albin Kurti para mijëra protestuesve në protestën e 10 shkurtit 2007 të thirrur nga ai kundër Pakos së Ahtisaarit, e cila ishte prezantuar pas negociatave në Vjenë për statusin final të Kosovës.

Në këto negociata, Veton Surroi ishte pjesë e Ekipit Negociator të Kosovës dhe ai ishte vënë shpeshherë në “shënjestrën” e sulmeve të Kurtit.

Kjo akuzë e Kurtit për Surroin kishte të bënte me faktin se babai i tij, Rexhai Surroi, ishte ambasador i ish-Jugosllavisë së Titos në Spanjë dhe në Amerikën Latine.

Por, si për çdo gjë tjetër, tani Albin Kurti si kryeministër ka ndryshuar shumë. Sipas tij, Veton Surroi nuk e sheh më as ëndërr Titon, por po i shohin ëndrrat bashkë, shkruan Demokracia.com.

Madje, kryeministri Albin Kurti ka ëndrra të mëdha edhe për Veton Surroin. Atë po e mbështet fuqishëm në rrugën e tij për Sekretar të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe po përpiqet maksimalisht që këtë pozitë t’ia marrë Majlinda Bregut, ish-ministres së Shqipërisë për Integrimin Evropian.

Dhe siç ndodh zakonisht në ëndrra, ëndrra e Kurtit për Surroin po mbetët vetëm një ëndërr, pasi që gjasat që ajo të bëhet realitet janë të papërfillshme.