Dhjetë persona kanë vdekur nga koronavirusi vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Britaninë e Madhe, duke e çuar në 21 numrin e përgjithshëm të viktimave.

Rritja e madhe e të vdekurve erdhi edhe pas vendimit të kryeministrit Boris Johnson për t’i ndaluar të gjitha tubimet e mëdha dhe ngjarjet sportive gjatë fundjavës.

Profesori Chris Whitty, udhëheqës i sektorit të mjekësisë në Angli, tha se dhjetë personat e vdekur ishin në grupin e të rrezikuarve.

Numri i përgjithshëm i rasteve të koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar tashmë ka shkuar në 1140 nga 820 sa ishte në mëngjes, shkruan “Daily Mail”s.

Një burrë në të shtatëdhjetat vdiq në Buckinghamshire pasi kishte edhe probleme tjera shëndetësore. Në Birmingham vdiq një burrë tjetër në të tetëdhjetat, ndërsa dy të tjerë vdiqën në Wolverhampton dhe Leicester.

Dy persona vdiqën në Londër, një në Leeds, një në Middlesex, një burrë në të gjashtëdhjetat në Harroë dhe një burrë tjetër në të tetëdhjetat në Chester.