BILD
Akoma nuk ka një vaksinë kundër koronavirusit- por beteja për armën e mrekullisë ka nisur prej kohësh.
Në qendër të saj: shkencëtarët gjermanë në Tuebingen dhe presidenti amerikan, Donald Trump. Firma gjermane, CureVac, me qendër në Tuebingen është vënë në shënjestrën e tij- pasi atje po ecën me ritme të shpejta kërkimi për vaksinën.
Trump kërkon që të marrë vaksinën- dhe për këtë arsye ka nisur një sherr me Gjermaninë.
Siç raporton ‘Welt am Sonntag’, Trump dëshiron të joshë shkencëtarët gjermanë në Amerikë me ‘një ofertë të lartë financiare’ që të sigurojë kurën.
Veçanërisht pikante: Vetëm për Amerikën.
Qeveria gjermane po përpiqet që të rezistojë ndaj këtyre manovrave të presidentit amerikan. Por koha është e shkurtër.
Në fillim të marsit, ish-shefi i kompanisë CureVac, Daniel Menichella u takua në Shtëpinë e Bardhë me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence, me ftesë të Trump. Fokusi ishte strategjia dhe mundësia për prodhimin e shpejtë të vaksinës.
“Ne kemi besim se mund të prodhojmë një vaksinë efikase brenda pak muajsh,” citohet Menichella në faqen e internetit të CureVac.
Amerikanët janë gati të paguajnë shumë: flitet për një 1 miliard dollarë.
Ndërkohë Menichella është zëvendësuar në këtë detyrë nga Ingmar Hoerr, ish-drejtues i kësaj kompanie. Pavarësisht kësaj, puna në laborator vazhdon me ritme të larta: në qershor ose korrik, vaksina do të zhvillohet në atë masë sa do të testohet te njerëzit.
A mundet që Trump të triumfojë mbi Gjermaninë?
CureVac punon me institutin gjerman Paul Ehrlich, që është në pronësi të qeverisë. Gjermania kërkon në mënyrë absolute që ta mbajë kompaninë në vend dhe ka bërë oferta financiare.
Këtë e konfirmoi një zëdhënës i qeverisë. Kurse deputeti socialdemokrat, Bernd Westphal i kërkoi qeverisë gjermane që të parandalojë shitjen e kompanisë CureVac te amerikanët. “Bëhet fjalë për interesat gjermane dhe europiane. SHBA ka zgjedhur politikën e saj ‘amerikanët të parët’ edhe në këtë rast. Prandaj është e rëndësishme që CureVac të mbështetet me fonde publike,” tha ai.
Edhe ministrja e Hessen, Lucia Puttrich po i bën thirrje qeverisë gjermane që të ndërhyjë.
Puttrich për BILD: “Veprimet e Donald Trump janë të akullta dhe të pamëshirshme. Në një kohë kur po luftojmë një pandemi, nuk duhet të shkaktohet një konkurrencë e tillë. Qeveria gjermane duhet të ndërmarrë masa që të mos miratohet një marrëveshje e tillë dhe që vaksina të jetë në dispozicion të të interesurave. Ky është detyrimi ynë moral”.
Kurse kryebashkiaku i Tuebingen thotë: “CureVac është lider botëror në fushën e vaksinave. Është një nga shpresat tona në luftën kundër koronavirusit. Qyteti ka bërë gjithmonë gjithçka për të mbështetur kompanitë në fushën e teknologjisë. Do e bëjmë edhe tani. Është në interesin e të gjithëve që CureVac të qëndrojë në Tuebingen”.







