1 mijë e 600 të burgosur në Kosovë, presin të marrin vaksinen anti-Covid

Departamenti Shëndetësor i Burgjeve ka vlerësuar se Institucionet korrektuese janë institucione vulnerabil për sëmundje ngjitëse, andaj janë me prioritet për vaksinim dhe si të tillë e ka bërë kërkesën për Komitetin e Vaksinimit të vendit.

Me kohë, në Komitetin për menaxhimin e vaksinimit, është bërë kërkesa që në institucione korrektuese të bëhet vaksinimi i të gjithëve.

Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) janë gjithësej 125 persona në staf mjekësor, 1mijë e 600 të burgosur si dhe 1mijë e 617 persona staf korrektues.

“Sipas Komiteti për menaxhim të vaksinimit, deri më tani ka filluar vetëm vaksinimi i stafit shëndetësor të institucioneve korrektuese nëpër qendra regjionale”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.

Sipas SHKK-së, vaksinimi do të bëhet në të gjitha institucionet korrektuese.

 Posa të këtë mundësi dhe vaksina, do të fillohet me vaksinimin e personave të tjerë, përfshirë të burgosurit dhe stafin korrektues. Vaksinimi planifikohet të bëhet në institucione korrektuese dhe do të përfshihen të gjithë ata që dëshirojnë dhe kanë indikacione për vaksinim.