SBASHK-u kundër mësimit tërëditor
SBASHK-u ka reaguar ndaj propozimit të MASHT-it për fillimin e mësimit tërëditor në shkollat e Kosovës, duke thënë se ky është një eksperiment i dëmshëm për sistemin arsimor.
Për mësimin tërëditor, sipas SBASHK-ut, duhet shikuar praktikat në vendet e Evropës dhe do të shihet se nuk janë mësimdhënësit e njëjtë ata që angazhohen në mësimin tërëditor, por janë kuadro shtesë.
SBASHK përkujton se para pak viteve ishte provuar me një eksperiment të tillë në disa shkolla të Prishtinës, e cila u ndërpre pasi ishin krijuar pakënaqësi te prindërit dhe nxënësit.
“Ideja për mësimin tërëditor mbase mund të realizohet në të ardhmen në institucionet e Arsimit Parauniversitar të Kosovës atëherë kur krijohen kushte e ambiente të mjaftueshme për punë e veprimtari mësimore e rekreative, kur të sigurohen kuzhina dhe kur të sigurohet buxhet i mjaftuar për rekrutimin e kuadrove të reja që do të ndihmonin në realizimin e mësimit tërëditor. Derisa nuk ndodhë kjo, SBASHK-u ishte dhe mbetet kundër idesë së MASHT-it lidhur më mësimin tërëditor”, përfundon komunikata.