​Diplomuan kadetët e gjeneratës 2021

Sot në ambientet e kazermës “Adem Jashari” u mbajt ceremonia ushtarake e diplomimit të kadetëve të Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së, përkatësisht Qendrës për Studime Universitare të gjeneratës 2021.

Në ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, zëvendës ministri, Shemsi Syla, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, stafi i lartë ushtarak dhe civil i Ministrisë së Mbrojtjes dhe SHP të FSK-së, atashe ushtarakë të vendeve partnere, oficerë të NALT-it, si dhe familjarë të kadetëve të diplomuar.

Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), komandë brenda së cilës vepron Akademia e Mbrojtjes dhe QSU, gjeneral brigade Irfete Spahiu, para të pranishmëve u rikujtoi kadetëve rrugëtimin e përbashkët për arritjen e standardeve profesionale dhe akademike.

Ndërsa, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rama ka inkurajuar kadetët e diplomuar të qëndrojnë konsistentë në realizimin e synimeve me frymën dhe shpirtin luftarak gjithmonë duke ruajtur prestigjin e FSK-së dhe vlerat themelore të ushtarakut, si Detyrën, Nderin dhe Atdheun.

Në emër të ministrit Mehaj, zëvendës ministri Syla shprehu besimin e plotë në suksesin e kadetëve në përmbushjen e misionit gjatë shërbimit si lider ushtarak.

Të gjithë shprehën mirënjohjen për mbështetjen e madhe nga ana e familjarëve të kadetëve, duke shprehur besimin se si oficerë nga sot do të arrijnë shkathtësitë për pjesëmarrje dinjitoze në operacionet jashtë vendit që t’i shërbejnë njerëzimit dhe paqes kudo që ka nevojë.

Ceremonia vazhdoi me ndarjen e diplomave për 15 kadetët e diplomuar nga ana e ministrit Mehaj, zv.ministrit Syla, gjeneral Ramës dhe gjeneral Spahiut. Në mesin e të diplomuarve ishin edhe dy kadetë nga Shqipëria.