​Apostolova: Nga viti 2010, BE ka dhënë mbi 30 milionë euro për Kosovën

Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka pasur deri më tani mbështetje nga niveli politik. Për këtë po premtohet se do të ketë fuqizim dhe mbështetje nga qeveria e re. Edhe pas heqjes së pakove ushqimore që vinin nga familjarët për të burgosurit në Qendrat Korrektuese në Kosovë, në këto të fundit ka pasur kontrabandë.

Kështu u tha sot në pjesën përmbyllëse të projektit për “Fuqizimin e Mëtutjeshëm të Shërbimit Korrektues dhe Shërbimit Sprovues në Kosovë”. Ky projekt me vlerë dy milionë euro është financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe është zbatuar nga Agjencia e Sanksioneve Penale të Finlandës nga shtatori 2017.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se prioritet i qeverisë së re do të jetë fuqizimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, e cila njëherësh sipas saj do të jetë edhe sfida më e madhe për sektorin e drejtësisë.

Haxhiu: Ministria e Drejtësisë e ka prioritet fuqizimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës

“Ministria e Drejtësisë e ka prioritet fuqizimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ne do të punojmë me përkushtimin më të madh për të sjellë Shërbimin Korrektues në nivelin e duhur. E di që ka pasur avancime, por konsideroj se ka munguar mbështetja nga niveli politik. Prandaj, ne do të japim mbështetjen e duhur… Sa i përket stafit të Shërbimit Korrektues, më lejoni të ju informoj se në agjendën time si ministre e drejtësisë, edhe draftimi i ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Në agjendën legjislative për këtë vit do të parashihet procedimi në Kuvendin e Kosovës i këtij projektligji. Aktualisht Shërbimi Korrektues i Kosovës funksionon me tri ligje, dhe duke pasur parasysh natyrën dhe rëndësinë që ka, natyrisht ne duhet të shohim mundësinë e adresimit përmes ligjit të veçantë për Shërbimin Korrektues të Kosovës , tha ajo.

Haxhiu u zotua se do të punojnë në avancimin e kushteve për stafin e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ndër të tjera, ajo ka theksuar se shqetësim mbetet edhe mos zbatimi i nenit 224, ku parashihen kontrollet mjekësore për zyrtarët korrektues e që sipas saj një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Haxhiu: Stafit korrektues nuk u bëhen matjet aftësitë shëndetësore dhe psikofizike

“Është shqetësimi i imi i ministre e Drejtësisë, është mungesa e zbatimit për vite radhazi të nenit 224 për vërtetimet shëndetësore dhe psikofizike të punësuarve si zyrtar korrektues në Shërbimin Korrektues. Ata çdo dy vjet duhet të matin aftësitë shëndetësore, psikofizike, por kjo nuk është realizuar. Unë kam informacione që gjendja në këtë drejtim nuk është e mirë, sepse nuk ka pasur kontrolle të tilla shëndetësore dhe në këtë drejtim ne do të punojmë që Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të zbatohet”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka përmendur edhe kontrabandën në burgjet e Kosovës, për çka tha se edhe pas heqjes së pakove ushqimore, ku familjarët dikur kishin mundësi t’ua dërgonin të burgosurve, në Qendrat Korrektuese, ka vazhduar kjo dukuri.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natylia Apostolova, tha se qëllimi i Projektit të Binjakëzimit ka për qëllim mbështetjen e shërbimeve korrektuese dhe sprovuese të Kosovës si dhe mbështetjen e Kosovës në përmirësimin e standardeve të sektorit gjyqësor duke e fuqizuar më tej kornizën institucionale.

Ajo tha se duhet të merren masa esenciale për të burgosurit në integrimin e tyre në shoqëri.

Apostolova: Që nga viti 2010, BE ka investuar në Kosovë 30 milionë euro

“Bashkësia Evropiane e ka mbështetur Kosovën në sundimin e ligjit që nga fillimi financiarisht dhe e ka mbështetur Qendrën Korrektuese në burgjet dhe Qendrën Korrektuese për të rinjtë në Lipjan. Vlera jonë që nga viti 2010 ka kaluar 30 milionë euro. Standardet evropiane janë shumë të rëndësishme dhe duhet të respektohen. Personat në burgje janë të ndjeshëm dhe ata kanë të drejtat e tyre. Procesi i riintegrimit të duhur në shoqëri është shumë esencial. Gjithashtu do të bashkëpunojmë dhe do të japim tre milionë euro Kosovës për pajisje teknologjike”, ka theksuar Apostolova.

Ndërkaq, zëvendës-udhëheqësja e misionit nga Ambasada e Finlandës, Sargit Salakari tha se Finlanda ka numrin më të vogël të burgosurve në Evropë. Ndër të tjera, sipas saj, ky vend skandinav ka dhënë për Kosovën 50 milionë euro nga viti 1999.

Salakari: Finlanda ka numrin më të ultë të burgosurve

“Qëllimi i këtij projekti ishte që të mbajë autoritetet e Kosovës… Për shembull, rehabilitimi dhe integrimi dhe që të privohet nga përsëritja e veprës pas dalje s nga burgu. Kur flasim për numrin e ulët të burgosurve, kisha dashur të ndaj statistikat e të burgosurve. Ky raport tregon se Finlanda ka numrin më të ultë të burgosurve në BE. Janë 51 njerëz për 1100 të burgut. Ne kemi burgje të hapura dhe të mbyllura”, deklaroi ajo.

Udhëheqësi vendor i “Projektit të Binjakëzimit” Rasim Selmani, ka bërë të ditur se ky projekt ka filluar 30 muaj më parë, ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Finlandeze për Sankdionr Penale, Arto Kujala, nuk ka mundur të jetë i pranishëm në këtë projekt përmbyllës pas përhapjes se koronavirusit.