Prokuroria

Zvicra mbështetë Prokurorinë e Shtetit

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim pune ambasadorin e Zvicrës në Prishtinë, Jean Hubert Lebet.

Gjatë këtij takimi, Kryeprokurori Lumezi ka njoftuar Ambasadorin Lebet për funksionimin dhe efikasitetin e sistemit prokurorial të Kosovës e posaçërisht atë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, Lumezi ka thënë se sfidë kryesore e institucionit të Prokurorit të Shtetit mbetet luftimi i korrupsionit, krimeve të luftës, krimit të organizuar, terrorizmit, bartja e lëndëve nga EULEX-i tek prokurorët vendorë që kanë të bëjnë me rastet e krimeve të luftës, si dhe, ka theksuar se pavarësisht vështirësive institucionet e drejtësisë duhet t’i tejkalojnë të gjitha këto, që të arrijnë rezultate më të mira në hetimin dhe ndëshkimin e krimit.

Në këtë takim u bisedua edhe për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, ku të dy bashkëbiseduesit e vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm, ndërsa theksuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit të Prokurorisë së Shtetit me atë të Zvicrës në mbledhjen e informatave lidhur me veprat penale që mund t’i prekin këto dy vende.

Ndërkaq, ambasadori Lebet, ka vlerësuar punën që është duke e bërë Prokurori i Shtetit,  si dhe i ka ofruar mbështetjen e tij dhe të shtetit zviceran, për ta ndihmuar edhe me tutje sistemin prokurorial të Kosovës në të gjitha çështjet që Zvicra mund të kontribuojë,  me qëllim të rritjes së efikasitetit të këtij sistemi.

Në fund të takimit Kryeprokurori Lumezi ka falënderuar Ambasadorin Lebet dhe shtetin e Zvicrës për mbështetjen e vazhdueshme që është duke e dhënë për gjithë sistemin prokurorial të Kosovës.