Zv.kryeministri

Zv.kryeministri i kërkon Kuvendit ta aprovojë ligjin për rimëkëmbje ekonomike

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri thotë se ka kërkuar nga Kuvend që të përshpejtohet miratimi i ligjit, sipas të cilit Qeveria ka planifikuar rimëkëmbje të gjendjes ekonomike në vend të rënduar për shkak të pandemisë Covid 19.

Tahiri thotë se pasi të aprovohet ligji për Rimëkëmbje Ekonomike pas pandemisë Covid 19, do të mund të sanohen problemet ekonomike që i shkaktoi përhapja e virusit dhe mbyllja muajve të fundit.

Njoftimi i plotë:

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nënshkrova Vendimin me të cilin kërkova nga Kuvendi i Kosovës, që në mënyrë urgjente, të përshpejtohen procedurat për aprovimin e Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë COVID-19, në mënyrë që të mund të sanojmë pasojat e shkaktuara në ekonominë e vendit tonë.

Në këtë kohë, të gjitha vendet po ballafaqohen me pandeminë e cila ka shkaktuar pasoja të mëdha duke marrë jetëra njerëzish, njëkohësisht ka penguar edhe lëvizjen e lirë të njerëzve e të mallrave dhe ka dobësuar zhvillimin ekonomik. Prandaj, kësaj situate do t’i përgjigjemi me përkushtim dhe vullnet të plotë, në mënyrë që ne si institucione shtetërore të kryejmë detyrën tonë karshi nevojave të qytetarëve tanë.

Edhe në të ardhmen , Qeveria e Kosovës, do të përkujdeset për trajtimin e temave të cilat kanë të bëjnë me interesin qytetar, e veçmas në situata kur duhet vepruar në mënyrë emergjente. Presim bashkëpunim nga Kuvendi dhe të gjitha partitë parlamentare