Zidane mezi e pret fundin e sezonit

I ka humbur durimi edhe Zinedine Zidanes, që dëshiron sa më parë të përfundojë sezoni dhe të rindërtojë një skuadër për të ardhmen.

U rikthyer për ta ndalë turpërimin dhe për t’i fituar të paktën ndeshjet që kishin mbetur dhe për të nisur ndërtimin e një skuadre për të ardhmen. Ndoshta në verë Zidane mund të ndërtojë një skuadër më të fortë, por aktualisht, as ai s’po mund ta shpëtojë këtë Madrid të humbur që ka rënë thellë në krizë që nga fillimi i sezonit.

Në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 35, Reali i Zidane humbi 1-0 nga Rayo Vallecano, me golin e Adri Embarba nga penalltia në minutën e 23’.

Kjo është ndeshja e katërt me radhë në udhëtim që Real Madridi i Zinedine Zidane nuk arrin të fitojë, humbja e 10-të në përgjithësi në La Liga.

Pas ndeshjes, Zinedine Zidane është shfaqur tejet i nervozuar dhe ka reaguar ndaj futbollistëve.

Ai gjithashtu tha se dëshira e tij është që të përfundojë sa më parë sezoni.

“Duhet të kërkojmë falje për 90 minutat që i zhvilluam të gjithë”, tha Zizu.

“S’kemi bërë pothuajse asgjë, as s’kemi vrapuar, as s’i kemi fituar duelet… asgjë”.

“Kemi tri ndeshje deri në fund dhe duhet të luajmë në një mënyrë tjetër dhe t’i respektojmë ekipet, por po, duam që të përfundojë sa më parë sezoni sepse është i komplikuar”.

“Jam i zemëruar sepse s’pashë asgjë në këtë ndeshje. Nuk mund të luajmë në këtë nivel. Me gjithë problemet që kemi pasur këtë sezon, nuk po arrij ta kuptoj se si mund të luajmë këso ndeshje. E vetmja gjë pozitive e këtij fundit të sezonit është se Varane do të qëndrojë”.

“T’i mbroj lojtarët? Sot nuk mundem. Gjithmonë do t’i mbroj, por jo sot”.