Zhvatja e kosovarëve me monopolin e homologimit: 125 euro në Kosovë, 30 në Serbi!

Zyra e BE-së në Kosovë ka kërkuar dje që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, t’i bëjnë presion Qeverisë dhe ministrisë së Infrastrukturës, për të shfuqizuar udhëzimin administrativ të nxjerrë vitin e kaluar, e që i mundëson kompanisë ‘EuroLab’ të ketë monopol në procesin e homologimit të veturave.

Për këtë çështje ka folur sot kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se duhet të analizohet kjo çështje, dhe nëse gjenden argumente që ka shkelje të ligjit dhe procedurave, do të anulohet mënjëherë.

Haradinaj thotë se një vendim i tillë mund të atakohet pa marrë parasysh se kush se për cilën kompani bëhët fjalë

Dje para deputetëve, shefja e BE-së, Natalya Apostolova, ka thënë se monopoli në homologimin e veturave është një brengë e ngritur nga BE-ja, pasi bie në kundërshtim me standardet e saj.

“Udhëzimi Administrativ i Qeverisë 02/2018 për homologimin e automjeteve do të çojë në shtrirjen e monopolit, pasi vendosja aktuale nënkupton zgjerimin automatik të një operatori ekonomik, i cili ka pasur një marrëveshje ekskluzive që nga viti 2008. Kjo praktikë shkon kundër frymës së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (SAA) dhe krijon pengesa për tregtinë”, ka theksuar ajo.

Kompania “EuroLab”, pronë e Blerim Devollit, e cila kryen homologimin, zbaton çmimet me të larta në rajon. Kosovarët për homologim duhet të paguajnë 125 euro, shkruan Ballkani.info.

Në Maqedoni homologimi kushton nga 30 deri në 70 euro, kurse në Serbi mund të kryhet për vetëm 30 euro.

Përveç kësaj, “EuroLab” është edhe kompania e vetme e cila operon në gjithë territorin e Kosovës, pra ka monopol.

Përveç Apostolovës, për monopolin që ka “EuroLab”, ka reaguar edhe ambasadori gjermanë në Kosovë, Christian Heldt. Ai shprehu habinë e tij për mënyrën se si funksionon në vendin tonë projekti i homologimit të veturave, që importohen për në vendin tonë.

“Vetëm një ambasador i gjorë që po provojë të kuptojë logjikën se si shkojnë procedurat: Veturat e reja nga Evropa importohen në Kosovë me dokumente të kompletuara për homologim”, ka thënë ambasadori gjerman.

Edhe instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe Qeveria e Kosovës që të ndërpresin monopolin në homologimin e veturave sepse është i kundërligjshëm dhe po e dëmton interesin financiar të qytetarëve të Kosovës.

GAP dhe GLPS thotë se ky monopol është pengesë për realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe po mbahet në fuqi në kundërshtim me rekomandimet e zyrës së Bashkimit Evropian, të cilët ripërsërisin qëndrimet e tyre që homologimi i veturave në Kosovë mbetet monopol i paarsyeshëm, kundër rregullave të konkurencës së lirë, kurse çmimet arbitrare për shërbimet në fjalë mbeten barrë e rëndë për qytetarët e Kosovës. /Ballkani.info/