Kryeministri shqiptar, Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Ankara më 20 shkurt, me ftesë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Është zbardhur edhe agjenda e këtij takimi, i cili do të përqendrohet në forcimin dhe bashkëpunimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe Turqisë.

Fillimisht, ndalesa e parë e Kryeministrit Rama do të jetë në Anitkabir, Mauzoleumin e Mustafa Kemal Atatürkut, lideri i Luftës Turke për Pavarësi dhe themeluesi e Presidenti i parë i Republikës së Turqisë.

Pas ceremonisë së veçantë të mikpritjes që do të mbahet në Presidencën e Republikës së Turqisë, Kryeministri Rama dhe Presidenti turk Erdogan do të zhvillojnë një takim bilateral mes tyre.

Më pas, Kryeministri Rama dhe Presidenti turk Erdogan do të drejtojnë Mbledhjen e Bashkëpunimit të Nivelit të lartë midis dy vendeve, me pjesëmarrjen edhe të disa prej ministrave të kabineteve qeveritare respektive. Në nisje të mbledhjes kryeministri Rama do të adresohet me një fjalë.

Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë do të nënshkruhen në vijim disa marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi dypalëshe në fushën e mjedisit, mbrojtjes, të medias dhe komunikimit, etj.

Në përfundim të vizitës, Rama dhe Erdogan do të komunikojnë për median deklaratën e përbashkët për shtyp.

Së bashku me kryeministrin pjesë e delegacionit qeveritar do të jenë dhe Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku; Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani; Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi; Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj; Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu; Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu; si dhe Ministrja i Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

VIDEO BONUS: Pagat e ulëta| Punëtorët e sigurimit fizik në KEK protestojnë sërish në Prishtinë