YouTuberi japonez përjashtohet nga parlamenti, nuk u paraqit kurrë në punë

YouTuberi i famshëm japonez i cili u zgjodh në parlamentin japonez, do të bëhet përfaqësuesi i parë japonez që do të përjashtohet nga parlamenti pa hyrë në të.

Yoshikazu Higashitani u përjashtua nga kolegët e tij të Senatit të martën, sepse nuk u paraqit kurrë në punë, transmeton Telegrafi.

Që prej zgjedhjes së tij shtatë muaj më parë, ai nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë. Komisioni Parlamentar Disiplinor i hoqi statusin për shkak të mungesës së tij.

Votuesit zgjodhën Higashitanin në dhomën e lartë të Parlamentit në korrik të vitit të kaluar. Ai njihet më mirë si GaaSyy në YouTube, ku njihet për videot e tij me thashetheme për të famshmit.

Përjashtimi është dënimi më i rëndë që mund të marrë një përfaqësues. Kjo ka ndodhur vetëm dy herë që nga viti 1950, dhe kjo është hera e parë që një deputet përjashtohet për një mungesë të gjatë.

Dhoma pritet të zyrtarizojë vendimin këtë javë. Deputeti, i quajtur “deputeti pa paraqitje”, besohet se jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ai deri më tani ka refuzuar të marrë pjesë në parlament sepse ka frikë se do të arrestohet për akuza për mashtrim dhe padi për shpifje të personazheve të famshëm, raportojnë mediat japoneze.