Ylli mposht Rahovecin, një fitore larg finales

Golden Eagle Yllit i duhet vetëm edhe një fitore përballë Rahovecit për t’u kualifikuar në finalen e këtij sezoni në plejofin e Superligës së Kosovës në basketboll.

Ylli të premten mbrëma ka triumfuar në ndeshjen e tretë gjysmëfinale ndaj Rahovecit dhe prin me rezultatin e përgjithshëm 2:1 në këtë seri.

Dueli i luajtur në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, ka përfunduar me shifrat 77:68.

Më efikasi te Ylli në këtë fitore të vlefshme ishte Elyjah Clark me 23 pikë të shënuara e shtatë kërcime, i përcjellë nga Gëzim Morina (17 pikë e 10 kërcime) dhe Erjon Kastrati që kontribuoi me 13 pikë të shënuara.

Në anën tjetër, te Rahoveci më të dalluarit ishin Ed Daniel me 19 pikë e 13 kërcime kurse pikë dyshifrore realizuan edhe Darrell Davis (18), Alban Veseli (13) e Altin Morina (10) por që nuk mjaftuan për të evituar humbjen në Suharekë.

Ndeshja e radhës luhet të dielën në Suharekë dhe Ylli me fitore eventuale do të plasohet në finale.

Ndërsa, në rast se fiton Rahoveci, atëherë seria barazohet në 2:2 dhe finalisti do të përcaktohet javën tjetër në palestrën “Mizahir Isma”.