Ylli avancon ndaj Pejës në serinë finale

Golden Eagle Ylli e ka nisur me fitore serinë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.

Skuadra nga Suhareka e ka mposhtur Pejën me shifrat 83:75 në ndeshjen e luajtur në palestrën “Karagaçi”. Me këtë fitore, Ylli avancon në serinë finale me rezultatin 1:0.

Erjon Kastrati e ka udhëhequr Yllin drejt këtij triumfi në Pejë. Kastrati ndeshjen e mbylli me 26 pikë të shënuara kurse me lojë të mirë te Ylli, u veçuan edhe Elyjah Clark (12), Mitchell Wilbekin (12), Gëzim Morina (11).

Në anën tjetër, Laron Dandy ishte më efikasi te Peja me 17 pikë të shënuara e 12 kërcime, i përcjellë nga Brandon Walter (16 pikë, 10 kërcime) e Dardan Berisha me 12 pikë e nëntë asistime.

Në këtë ndeshje, Peja u paraqit pa plejmejkerin e suspenduar AJ Walton që do të mungojë edhe në duelin e dytë, që luhet të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi”.

Skuadra që shënon tri fitore në këtë seri, shpallet kampione e këtij edicioni në elitën e basketbollit kosovar.