Xhumaja falet me mesazhin kundër përdorimit të drogës

Sot në të gjitha xhamitë e Kosovës, në hytbenë e xhumasë, është dhënë një mesazh i njësuar kundër përdorimit të narkotikëve dhe në mbështetje të veprimtarisë së Task-Forcës së Qeverisë të themeluar për këtë qëllim.

Imami Bahri Sejdiu, i cili ka ligjëruar sot në Xhaminë e Madhe, ka thënë se të gjithë duhet të përqendrohen më shumë në edukatën e fëmijët – në mënyrë që ata të largohen nga veprimet e këqija, siç janë përdorimi i drogës, alkoolit dhe bixhozit.

Ai tha se të gjithë duhet të bëjnë më shumë, nisur nga institucionet, por edhe prindërit, njofton Klan Kosova.

Sipas xhematlinjëve, ligjëratat e tilla janë shumë të nevojshme, duke ditë se numri i përdoruesve të këtyre substancave po rritet.

Këto ligjëratat janë mbajtur në të gjitha xhamitë e Kosovës dhe kanë ardhur si rezultat i takimit të javës së shkuar të myftiut Naim Tërnava me shefin e Task-Forcës kundër përdorimit të narkotikëve dhe për sigurinë në shkolla, Avdullah Hasanin.

loading…