Wisner: Një rund bisedimesh Kosovë – Serbi nuk zgjidh kurrë asgjë

Ish i dërguari i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Frank Wisner, ka thënë se duhet zgjidhet çështja e reciprocitetit të targave dhe dokumenteve hyrje/dalje në mënyrë që palët të përqendrohen tek normalizimi i marrëdhënieve.

Wisner në një intervistë për Zërin e Amerikës ka folur për përvojat e tij në bisedimet Kosovë – Serbi.

“Nga përvoja ime personale në çështjet mes Kosovës dhe Serbisë, një rund bisedimesh nuk zgjidh kurrë asgjë. Duhet të kesh runde të mëtejshme”, tha Wisner.

Wisner ka thënë se SHBA-ja dhe BE-ja janë shprehur qartë se nuk pajtohen me qëndrimin e Serbisë për çështjen e targave dhe dokumenteve të identifikimit.

“Por ne në të vërtetë kërkojmë shumë më tepër se kaq: ne kërkojmë një normalizim të marrëdhënieve ndërmjet një Kosove të pavarur dhe Serbisë. Ky qëndrim është i palëkundur nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së”, tha Wisner.

E ish-analisti i lartë i CIA-s për Ballkanin dhe Evropën, David Kanin, ka thënë se ekziston vetëm një problem në këtë çështje, “është statusi i Kosovës”.

“Çështja e targave është thjeshtë pjesë e këtij problemi dhe duhet pasur parasysh se ky është konteksti i krizës aktuale”, tha Kanin.