Eksperti i Ballkanit

Weber: Plani franko-gjerman ishte projektuar gabimisht

Eksperti për Ballkanin dhe bashkëpunëtori i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, Bodo Weber, e konsideron si të dështuar iniciativën franko-gjermane, mbi bazën e të cilit Kosova dhe Serbia tashmë kanë një dakordim, por të pazbatuar.

Madje, Weber thotë se edhe në Perëndim disa aktorë janë shumë të vetëdijshëm se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është duke dështuar.

“Ju e dini se gjithnjë kam qenë skeptik sa i përket iniciativës franko-gjermane për shkak se është projektuar gabimisht. Takimi i fundit i dështuar mes palëve në Bruksel e dëshmoi edhe njëherë këtë gjë. Disa aktorë në Perëndim e dinë shumë mirë se dialogu nuk është në rrugën e duhur dhe pas një viti do të jetë një komision i ri në Bashkimin Evropian dhe Miroslav Lajçak e Josep Borrell nuk do të jenë më aty. Ngjarja që ndodhi në Basnjkë tregon më së miri se çfarë rezultate ka prodhuar marrëveshja e fundit e Brukselit, është një dështim”, thotë Weber për Tëvë1.

Eksperti gjerman thotë se qasja e butë e Perëndimit karshi Serbisë e ka dëmtuar procesin e dialogut me Kosovën.

Ai vlerëson se qasja e Perëndimit nuk ka ndryshuar as pas ngjarjes së rëndë të 24 shtatorit ku u sulmua policia e Kosovës.

“Qasja e njëanshme e Perëndimit ndaj Serbisë e ka dëmtuar procesin e dialogut dhe ka ndikuar që Prishtina ta humbas besimin tek negociatorët dhe kjo ka për të lënë pasoja në të ardhmen. Mendova se disa gjëra do të ndryshonin pas 24 shtatorit dhe prita që Perëndimi do t’i bënte më shumë presion Serbisë për të hetuar atë që ndodhi në Banjskë ku u sulmua policia e Kosovës, por jo nuk po shoh ndryshime serioze në qasjen e Perëndimit. Të shtunën në Prishtinë dhe në Beograd do të zbarkojë “pesëshja madhe”, por të jem i sinqertë nuk pres fare progres”, vlerëson ai.

Weber ka komentuar edhe zhvillimet gjeopolitike. Ai thotë se presidentit serb, Aleksandar Vuçiq i konvenon kriza në Lindjen e Mesme.

Ka ndryshime të mëdha gjeopolitike dhe janë duke u zhvilluar shumë konflikte. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shpreson që në Lindje të Mesme të ketë edhe më shumë kaos, në mënyrë që Perëndimi të mos ketë kapacitet merret më të dhe me zhvillimet që kanë ndodhur në veriun e Kosovës. Është ende e paparashikueshme se çfarë pasoja do të lë kriza në Gaza”, është shprehur eksperti gjerman.