LVV

VV s’e do ligjin e PDK-së për zyrtarë policorë

Mosha mesatare e zyrtarëve të Policisë së Kosovës mund të mos jetë më e larta në rajon edhe për shumë kohë.

Të martën u nis për në kuvend Projektligji për Pensionim të Parakohshëm të tyre nga Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Iniciativën e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës nuk e mbështetën edhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje, përpos Fatmir Humollit.

“Deputetët nga PDK por edhe nga LDK, opozita në përgjithësi ,e kanë pasur shansin që sa e sa vite ta bëjnë këtë ligj për Policinë e Kosovës, nuk e kanë bërë prandaj tash është radha jonë”, tha Enver Dugolli, deputet i LVV-së.

Atij i reagoi ish-drejtori i policisë, tani deputet i PDK-së, Rashit Qalaj.

“Fillimisht jemi deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe nuk besoj që kemi ardhur askush këtu për të bërë lojëra, por nganjëherë kolegu Enver nuk e di as çka flet”,  deklaroi Qalaj.

Nga LDK thanë se janë të gatshëm ta ndërpresin këtë nismë ligjore nëse qeveria sjell një projektligj më të mirë.

“E keni përkrahjen time, edhe nëse jemi në procedurë, edhe nëse jemi duke e përmbyll, në momentin që dalin me diçka më të mirë”, tha Anton Quni, deputet i LDK-së.

Iniciuesit treguan se projektligji është shumë i rëndësishëm marrë parasysh edhe se shumë policë detyrohen të bëjnë punë sekondare për të mbajtur familjen.

Deputetja Ganimete Musliu tha se janë propozuar katër lloje të pensioneve, i rregullt, invalidor, familjar dhe vullnetar

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, deklaroi se ligji për pensionim është emergjent.