Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin, i ka replikuar Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla e cila në Samitin në Londër tha se Beogradi ka nisur një fushatë për destabilizimin e rajonit.
“Destabilizimi sistematik i rajonit është duke u ndërmarr nga paralajmërimet për krijimin e “Shqipërisë se Madhe”, arrestimet e serbëve dhe vendosja e njësive speciale në veri të Kosovës”, është shprehur Vulin, raporton N1.
“Stabiliteti i rajonit në veçanti është trazuar nga refuzimi i Prishtinës për të zbatuar marrëveshjet e Brukselit dhe refuzimi për ta formuar Asociacionin e Komunave Serbe”.
Vulin ka thënë se nuk është më në pyetje se Prishtina destabilizon rajonin, por se pse lejohet të veprojë ashtu nga Bashkimi Evropian.
Ndryshe ministrja Gërvalla ka deklaruar se përkundër progresit që është bërë që nga formimi i qeverise së re, Kosova është përballur me kërcënime nga Serbia.
Gërvalla ka vënë në pah se Serbia para pak javësh ka dërguar automjete të blinduara, trupa dhe aeroplanë luftarakë në kufirin me Kosovën.
Megjithatë kryediplomatja kosovare ka thënë se Kosova nuk është e vetmja që po kërcënohet por që ka një përshkallëzim të retorikës nga Serbia, edhe ndaj disa vendeve tjera të rajonit.
“Nacionalistët serbë po e kërcënojnë Kosovën me luftë, po provokojnë ndarje në Bosnje dhe Hercegovinë, siç bënë edhe në vitin 1991, si dhe po përpiqen të destabilizojnë së brendshmi edhe vendet e tjera. Këto nuk janë incidente të veçuara; ato janë pjesë e një fushate sistematike për destabilizimin e rajonit, e ndërmarrë nga Rusia dhe përfaqësuesja e saj Serbia. Vetëm para disa javësh u detyruam të largonim nga vendi ynë dy diplomatë rusë për shkak se përbënin kërcënim ndaj sigurisë sonë kombëtare”, tha Gërvalla.
Gërvalla e ka quajtur gënjeshtër të pastër edhe qëndrimin e ministrit serb Vulin, rreth masakrës së Reçakut.
Vulin edhe gjatë ditës së djeshme ka vazhduar deklarimin për masakrën e Reçakut, ku sërish e ka quajtur “ngjarje të rreme”.







