Vujiçiq uron 28 Nëntorin duke kërkuar marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, Slobodan Vujiçiq, u ka uruar 28 Nëntorin të gjithë shqiptarëve me dëshirën që vitin tjetër arrihet edhe marrëveshja historike në mes të Beogradit dhe Prishtinës zyrtare.

Përmes një komunikate dërguar mediave, Vujiçiq ka thënë se pa paqe të qëndruesme me Serbinë, pa respektim të të gjitha pakicave dhe pa pranim e sistemit evropian të vlerave, nuk do të ketë zhvillim ekonomik dhe as përmirësim të jetës për qytetarët e Kosovës, transmeton Ballkani.info.

“Ua urojmë Ditën e Flamurit shqiptarëve të Kosovës me dëshirën që vitin tjetër të vijë deri te marrëveshja historike në mes të Beogradit dhe Prishtinës zyrtare. Pa paqe të qëndrueshme me Serbinë, pa respektim të të gjitha pakicave dhe pa pranim e sistemit evropian të vlerave, nuk do të ketë zhvillim ekonomik as përmirësim të jetës për qytetarët e Kosovës. Përgjegjësia më e madhe për gjendjen e tanishme dhe të ardhme, u takon shqiptarëve të Kosovës, si popull shumicë që janë. Prandaj, besojmë që do të kenë fuqi t’i tejkalojnë të gjitha sfidat dhe t’i arsyetojnë pritjet e miqve të Kosovës dhe popullit shqiptar në përgjithësi”, thuhet në urimin e Slobodan M. Vujiçiq, Kryetar i Shoqatës Malazeze në Kosovë. /Ballkani.info/