Vuçiq serbëve: Mos u bëni pjesë e ushtrisë së Kosovës

Sipas tij Kosova po e formon ushtrinë për t’i shfrytëzuar serbët Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në ushtrinë e ardhshme të Kosovës. Ai i ka bërë këto komente pas një takimi në Beograd me udhëheqësit e Listës Serbe, e cila është partia kryesore e serbëve në Kosovë.

“Edhe një herë, u bëj thirrje serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në ushtrinë e saj.

Publikisht dhe hapur, u bëj thirrje që të mos marrin pjesë sepse Kosova po e formon atë ushtri për asgjë tjetër përveçse t’i shfrytëzojë ata serbë që një ditë të qëllojnë mbi serbët.

U bëj thirrje serbëve të mos u ndihmojnë atyre në këtë punë të pistë”, ka deklaruar ai.

Vuçiq po ashtu ka thënë se në 18 muajt e ardhshëm do të ndajë mbi 50 milionë euro për objektet infrastrukturore në Kosovë.

“Do të fillojmë ndërtimin e Qendrës Klinike në Graçanicë. Do të ndërtojmë qendra turistike, do të investojmë në rrugë, infrastukturë dhe furnizim me ujë”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti serb, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq dhe ministrat e Qeverisë serbe janë takuar me një delegacion të serbëve të Kosovës, të udhëhequr nga Goran Rakiq dhe Igor Simiq