LAJMI I FUNDIT

Vuçiq nesër e viziton Bujanocin, por kryetari Nagip Arifi s’është njoftuar fare

Kryetari i Komunës së Bujanocit Nagip Arifi nuk është në dijeni për ardhjen e Presidentit të Serbisë në Bujanoc, e cila ishte paralajmëruar për të premten, më 26 janar.

“Kabineti i kryetarit të Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, nuk është informuar për vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fshatin Luçan”, ka thënë, shef i kabinetit, Sali Salihi, transmeton Ballkani.info.

I pyetur nëse Arifi apo ndonjë përfaqësues tjetër i pushtetit komunal do ta presë Vuçiqin të premten, Salihu tha se askush nuk i ka kontaktuar për ardhjen e Vuçiqit.

Vuçiq nesër shkon në fshatin Luçan të Bujanocit, ku do të vizitojë shkollën fillore “Sami Frashëri”, ka konfirmuar kreu i SNS-in të Bujanocit, Nenad Mitroviq.

“Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, por është pothuajse e sigurt që presidenti Vuçiq do ta vizitojë edhe kishën në fshatin Bozhinjevc”, tha Mitroviq.

Presidenti i Serbisë, përveç komunës së Bujanocit, pritet të vizitojë edhe Vranjën, ku duhet të vizitojë edhe Shtëpinë e Shëndetësisë. /Ballkani.info/