Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic ka pasur sot në mëngjes mbledhje të jashtëzakonshme me shefat e Ushtrisë e policisë dhe shërbimeve tjera të sigurisë, si edhe me komandantët e njësive speciale të ushtrisë e të policisë.
Në takim kanë qenë të pranishëm edhe ministri i Ushtrisë së Serbisë dhe shefi i Shtabit të përgjithshëm, Aleksandar Vulin e Milan Mosilovic, pastaj ministri i punëve të brendshme dhe drejtori i policisë, Nebojsa Stefanovic e Vladimir Rebic, si edhe shefi i BIA-s Bratislav Gasic. Në mbledhjen me Vucicin kanë marrë pjesë edhe komandantët e njësive speciale të ushtrisë e të policisë.
Janë këta komandantët e brigadës speciale Miroslav Talijan, komandant i Drejtorisë së policisë ushtarake gjenrali Rajko Milovanovic, si dhe shefi i Drejtorisë së inteligjencës së Shtabit të Përgjithshëm Milan Todorov.
Po ashtu, në mbledhje kanë qenë edhe komandanti i Zhandarmerisë Dehan Lukovic, pastaj komandanti i njësisë speciale kundërterroriste Spasoje Vulevic dhe komandanti i njësive intervenuese të policisë Dragan Vasiljevic.
Pak pas orës 9.30 ndërtesën në Andricev venac e kanë lëshuar Bratislav Gasic, Alelsandar Vulin e Vladimir Rebic në përcjellje të zyrtarëve policorë, të gjithë në uniformë.
I gjithë ky mobilizim i strukturave të sigurisë së Serbisë, ka ndodhur pas një aksioni të Policisë së Kosovës për të arrestuar disa të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanovic.
Policia dhe Prokuroria në një konferencë për media kanë thënë ky akison është zhvilluar pas një hetimi të gjatë dhe me prova, por kjo duket se nuk i bën përshtypje Serbisë, e cila mundohet që ta paraqes si veprim politik të shtetit të Kosovës.










