Vritet iraniani që festoi eliminimin e Iranit nga Kupa e Botës

Një burrë raportohet të jetë vrarë nga forcat e sigurisë në Iranin verior, teksa protestuesit antiqeveritarë festuan publikisht eliminimin e ekipit të tyre kombëtar të futbollit nga Kupa e Botës.

Aktivistët thanë se Mehran Samak u qëllua në kokë pasi i ra borisë së makinës së tij në Bandar Anzali të martën mbrëma, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.

Videot e xhiruara nga qytetet e tjera po ashtu shfaqnin turmat që brohoritnin dhe kërcenin në rrugë.

Shumë iranianë refuzuan të mbështesin ekipin e tyre të futbollit në Katar, duke e parë atë si një përfaqësuese të Republikës Islamike.

Mediat e lidhura me shtetin fajësuan forcat armiqësore brenda dhe jashtë Iranit për presion të padrejtë ndaj lojtarëve pas humbjes së tyre 1-0 ndaj ShBA-së në ndeshjen e fundit të grupit.

Lojtarët nuk e kënduan himnin kombëtar para ndeshjes së tyre të parë, një humbje 6-2 nga Anglia, në një shprehje të dukshme solidariteti me protestuesit.