Lajmi i fundit

Vrasja në Istog, arrestohen 2 të dyshuar

Lidhur me rastin e vrasjes që ka ndodhur sot pasdite në Istog, ku u vra polici Izet Demaj dhe grabitësi i dyshuar, Kamber Metaj, janë arrestuar dy persona.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurorja e rastit, Sahide Gashi.

Gashi tha se janë ndaluar dy persona të afërt të grabitësit.

Sipas prokurores, të ndaluarit dyshohen për ndihmë në aktin e grabitjes.

“Gjatë aksionit që e kemi ndërmarrë kemi ardhë deri tek informata për dy persona të cilët e kanë ndihmuar personin që ka kryer grabitjen në bankë dhe e ka qëlluar policin me armë. Ata janë të afërm të tij, njëri nga ta ka qenë i dyshuar për një tentim vrasje. Personat në fjalë janë U.M dhe Y.M.”, tha prokurorja Sahide Gashi.

Dy të dyshuarve me urdhër të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, shtoi prokurorja e rastit.

Sot pasdite, në një incident në qendër të Istogut, është vrarë zyrtar i Policisë, Izet Demaj si dhe grabitësi i dyshuar, Kamber Metaj.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, kur Policia ishte informuar për një tentim grabitje në filialin e bankës NLB.

Porsa kanë shkuar në vendin e ngjarjes, policët janë përballur me plumbat e të dyshuarit, për të cilin besohej se kishte marrë peng dy persona në bankë.

Gjatë përleshjes ishte qëlluar polici Izet Demaj e më pas edhe i dyshuari.

Policin e plagosur e kishin nisur drejt Spitalit të Pejës, ku kishte arritur pa shenja jete.

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë përmes të cilës jep detaje të incidentit të sotëm në Istog, ku mbeti i vrarë polici Izet Demaj dhe një grabitës i dyshuar.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 15:30, kur një person i armatosur kishte hyrë në filialin e NLB Bankës.

Me të marrë informacionin zyrtarët e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur një person të armatosur, për të cilin dyshohej se i kishte marrë peng 2 persona.

Gjatë përleshjes me armë zjarri, i dyshuari K.M. kishte qëlluar policin Izet Demaj, i cili pas plagëve ishte nisur për në Spitalin e Pejës, ku kishte mbërritur pa shenja jete.

Ndërsa, edhe grabitësi i dyshuar ishte qëlluar nga policët, me ç’rast kishte mbetur i vdekur në vend.

Sipas Policisë, gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, në afërsi është gjetur një granatë dore, një armë zjarri revole dhe një armë AK-47 me municion, të cilat i ka poseduar i dyshuari.