Gjykata Themelore

Vrasja në Dujakë të Gjakovës, bashkëshortja e të ndjerit thotë se familja e të akuzuarit vendosi pa leje kabllon elektrike

Dëshmitarja Erjeta Juniku, gruaja e të ndjerit M.J, ka thënë se në shtëpinë e tyre në bjeshkë, familja e të pandehurit e kishte lidhur një kabllo të rrymës pa lejen e të ndjerit.

Ajo ka thënë se bashkëshorti i saj ia kishte këputur kabllon dhe i kishte paralajmëruar vëllezërit e tij që të bisedojnë me vëllezërit e të pandehurit që të mos kenë probleme.

Këtë deklarim dëshmitarja Juniku e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë, në seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Shpejtim Knushi, i cili ka ngarkohet se vrarë M.J., pas një mosmarrëveshje për heqjen e kabllos elektrike nga shtëpia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarja ka treguar se në natën kritike ka qenë me vajzën e vogël në shtëpi.

Më pas tha se ishte njoftuar nga familjarët e bashkëshrotit të saj kur kanë telefonuar të pyesin se çka ka ndodhur.

Dëshmitarja ka thënë se të ndjerin e kishin dërguar në Gjakove në spital në gjendje të rëndë dhe pastaj e kanë transferuar në Prishtinë, nga plagët e rënda që i ka pësuar.

Ajo tha se ditën tjetër e kishte takuar në repartin intensive ku ishte në aparatet e oksigjenit, i cili kishte qëndruar një javë dhe më pas ishte transferuar në një repart tjetër.

Dëshmitarja tha se pas disa trajtimeve e kishin dërguar edhe në Tiranë, ku pas disa ditëve aty ka ndërruar jetë.

Në fjalën hyrëse prokurorja Ardita Beqiraj deklaroi se për tu vërtetuar gjendja faktike e veprës penale gjatë shqyrtimit gjyqësor do të procedohen dëshmitarët, bashkëshortja e të ndjerit vëllai i këtij të fundit ku do të tregojnë raportet në mes të ndjerit dhe të pandehurit.

Gjithashtu, prokurorja Beqiraj tha se do të administrohen provat materiale të cekura në aktakuzë, por me theks të veçante tha se CD-ja me video-incizim ku shihen veprimet e të pandehurit, ekspertiza mjekoligjore, shkaku i vdekjes, raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe deklarata e tani të ndjerit M.J., do të vërtetojnë qëllimet dhe motivin e kryerjes së veprës penale.

Tutje, përfaqësuesi i të dëmtuarve avokati Berat Vokshi, tha se provat që do të administrohen do të jenë të pa kontestueshme për vërtetimin e gjendjes së drejtë dhe faktike, ku përgjatë shqyrtimit do të dëgjohen dëshmitarët në bazë të të cilëve do të argumentohen rrethanat se si ka ndodhur rasti ditën kritike, këmbëngulja e të akuzuarit për realizimin e veprës penale, ashtu edhe në bazë të provave materiale, aktekspertimeve mjekoligjore, tha se do të vërtetohet veprimi kundërligjor.

Avokati Vokshi tha se nga dëgjimi i dëshmitarëve dhe administrimit të provave do të ketë edhe ricilësim të veprës penale dhe atë nga vrasje në vrasje të rëndë.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Knushi, avokati Ndrec Dodaj, në fjalën hyrëse deklaroi se nëse shihen provat dhe faktet brenda aktakuzës në raport me gjendjen e provave do të rezulton se kanë të bëjnë me një aktakuzë sipërfaqësore për faktin se elementet kryesorë të veprës penale nuk do të vërtetohen.

Sipas tij, ka shumë fakte notore nga aktakuza që i vërteton vet i pandehuri siç janë takimi i ditës kritike, koha dhe vendi ku janë takuar me viktimën si ka shkrepur me armë, si dhe faktet tjera përcjellëse.

Në cilësi të dëshmitarit kishte për t’u dëgjuar edhe i dëmtuari Osman Juniku, mirëpo përfaqësuesi i tij, deklaroi se nuk ka mundur të vijë në shqyrtim gjyqësor për arsye shëndetësore dhe se jeton jashtë shtetit.

Më pas seanca u ndërprerë dhe pritet të vazhdojë me dëgjimin e të dëmtuarit dëshmitarit Osman Juniku, për datën 13 dhjetor të këtij viti në ora 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, me 15 qershor 2023, po e ngarkon të pandehurin Shpejtim Knushi, që me 4 korrik 2022, rreth orës 21:20 min, në fshatin Dujakë Komuna e Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin M.J.

Sipas aktakuzës, shkaku u vrasjes ishte një mosmarrëveshje në lidhje me heqjen e një kabllo elektrikë nga viktima në shtëpizën e të pandehurit në bjeshkë.

Pas fjalosjes mes vete në një moment i pandehuri kishte nxjerr nga brevzi pistoletën dhe në një distancë prej 2-3 shtënë fillimisht në tokë afër këmbëve të viktimës e më pas e qëllon në pjesë vitale të trupit.

Për këto ai ngarkohet për veprën penale të “vrasjes”, nga neni 172 i KPRK-së, si dhe për veprën e dytë “mbajtja në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1 të KPRK-së.