Një përleshje mes disa të rinjve në një lokal në Ferizaj në qeshor të vitit 2018, kishte përfunduar me vrasje. Nga kjo përleshje kishte mbetur i vdekur 26-vjeçari, Elvedin Ibrahimi.

Në kohën kur kishte ndodhur vrasja, Koha.net kishte publikuar pamjet nga momenti kur i riu ishte therrur për vdekje nga një 29-vjeçar.

Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar sot me 20 vjet burgim 29-vjeçarin me iniciale D.H, i akuzuar për vrasjen e tij.

Sipas gjykatës, i pandehuri D.SH akuzohet se më 15 qershor 2018 në një kafiteri në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, me dashje direkte, nga hakmarrja e paskrupullt, ka privuar nga jeta E.I, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje të para një viti, në të cilën tani i ndjeri e kishte goditur me thikë tani të pandehurin, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, i pandehuri në shenjë hakmarrje ditën kritike, ka shkuar së bashku me të pandehurit M.M dhe A.A në kafiterinë e përmendur, ku ishte duke punuar tani i ndjeri, me ç’rast e ka nxjerrë thikën me të cilën në mënyrë tinëzare nga hakmarrja e paskrupullt e godet viktimën në pjesën e gjoksit, e cila depërton deri në zemër, kurse i pandehuri M.M e godet me shishe të qelqit disa herë si dhe i pandehuri A.A e godet me shqelma, kështu që i ndjeri rrëzohet, kurse i pandehuri D.SH e godet edhe tetë (8) herë me thikë në pjesën e shpinës dhe një herë në pjesën e qafës, nga të cilat goditje pëson lëndime të rënda trupore, gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, si pasoj e të cilave pasi dërgohet në QKUK në Prishtinë, ndërron jetë.