SHBA

Votuesit e Trumpit ndihen të mashtruar

Donald Trump kishte fituar shumë vota të amerikanëve që jetojnë në pjesën qendrore të SHBA-së në vitin 2016, duke premtuar që do t’i rikthente vendet e punës në sektorët e prodhimit. Gjatë kësaj jave ai do të përballet me testin e parë zgjedhor të qeverisjes së tij pasi që votuesit do t’iu drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet që mbahen në mes të mandatit. Kohëve të fundit, Trump ishte pjesë e kampanjës në tërë SHBA-të për ruajte të kontrollit të Partisë Republikane në Kongresin Amerikan.

Sidoqoftë, fabrikat amerikane vazhdojnë të përqëndrohen gjithnjë e më tepër në krijimin e vendeve të punës jashtë vendit. Sipas një raporti të “Good Jobs Nation”, kjo dukuri ka shënuar rritje në nivelin më të lartë vjetor në vitin e parë të Trumpit në pushtet, me ç’rast kontraktuesit federalë kanë “dërguar” 10,269 vende pune jashtë Shteteve të Bashkuara, shifër që paraqet gati trefishin e numrit të vendeve të punës që u krijuan jashtë vendit gjatë vitit të fundit të Obamas në pushtet, që ishte 3,801.

Organizatat e punëtorëve kanë dërguar punëtorë në tubimet e Trumpit që t’i bëjnë trysni për ta mbajtur premtimin për ndalimin e krijimit të vendeve të punës në shtete tjera. Njëri nga punëtorët deklarohet i dëshpëruar për politikën e deritashme të Trumpit. “Unë kam punuar në “General Motors” për nëntë vjet. U pushova nga puna më 20 janar 2017, pikërisht në ditën kur Trumpi filloi punën. Babai im ka punuar 42 vjet në të njëjtën kompani. Shumë nga ato vende pune tash janë bartur në Meksikë”, tha ai.

“U bënë dy vjet prej se ai erdhi në pushtet dhe e tëra që kam parë është humbja e vendeve të punës. Unë jam teknik i kualifikuar i motorëve me naftë dhe kam bërë tërë atë që është dashur ta bëja. Vendet tjera të punës që ofrohen në rajonin tim karakterizohen me paga të ulëta dhe unë nuk mund t’i rris tri vajzat e mia me ato të ardhura”, shtoi ai, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.