Voton Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump votoi në mënyrë të parakohshme sot në mëngjes, 10 ditë nga zgjedhjet presidenciale, në një qendër votimi të West Palm Beach, në Florida.

Presidenti amerikan mbërriti në një bibliotekë për të përmbushur detyrën e tij si qytetar në mënyrë të parakohshme, ashtu si më shumë se 55 milionë amerikanë që kanë votuar në aavancë, veçanërisht nga frika e koronavirusit.

Presidenti amerikan, Donald Trump mbante një maskë kur hyri në qendrën e votimit.

“Kjo është një votë shumë e sigurt, shumë më e sigurt sesa kur dërgon votën tënde me postë”, theksoi miliarderi republikan, i cili rregullisht, pa prova, ngre kërcënimin e mashtrimit masiv të votimit me postë, raporton ATSh.

“Gjithçka ishte e përsosur, në mënyrë shumë strikte, duke respektuar rregullat”, shtoi ai duke shpjeguar se ai kishte depozituar një fletë votimi “për një tip të quajtur Trump”.

“Ju do të jeni shumë të zënë sot, ne do t’ju bëjmë të punoni shumë fort”, u tha ai gazetarëve, para se të fillonte një ditë maratonë gjatë së cilës ai duhet të mbajë tre takime në tre shtete të ndryshme, Karolinën e Veriut, Ohajo dhe Wisconsin.