Vlora Çitaku: Turpi bie mbi ne!

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka reaguar edhe një herë për fotografinë e rrejshme të publikuar nga ish kolegia e saj partiake, deputetja, Flora Brovina.

“Asgjë nuk na shfajson për dhimbjen që ua shkaktuam mijëra viktimave dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale 20 vite pas luftës. Jam e tronditur deri në palcë, dhe personalisht ju kërkoj falje, që lejuam që një kauzë kaq tē dhimbshme ta degradojmë në këtë mënyrë. Turpi bie mbi ne”, ka shkruar ajo.

Çitaku shpreson se organet e rendit do ta hetojnë këtë rast deri në fund.

“Shpresoj që akterët e përfshirë të nxjerrin mësimet nga ngjarjet e djeshme. Mos t’i përdorim heroinat tona për protagonizëm politik. Tendeca të protagonizmit dhe ngritjes së profilit përmes dhimbjes dhe plagëve të të mbijetuarave të dhunës ka pasë edhe më herët. Ta ndalim këtë qasje dhe të zotohemi të sjellim drejtësi për të gjithë ata që paguan lartë çmimin e lirisë që gëzojmë sot”, ka shkruar në fund Çitaku. /Ballkani.info/