Vjosa Osmani: Tahir Zemaj u vra vetëm sepse i njihte institucionet e ndërtuara nga Ibrahim Rugova

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e ka kujtuar ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, Tahir Zemajn, po edhe djalin e tij Enisin dhe kushëririn Hasan Zemaj në 18 vjetorin e vrasjes së tyre.

Ozmani ka thënë se ata u vranë pabesisht dhe se Tahir Zemaj u vra veç pse i njohu dhe i respektoi institucionet e ndërtuara nga presidenti Ibrahim Rugova.

“Sot është 18-vjetori i vrasjes së komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, heroit të kombit, Kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij, Enisit, si dhe kushëririt Hasan Zemajt. Ata u vranë pabesisht nga një dorë tinëzare, më 04 janar 2003, në hyrje të Pejës. Ne humbëm një komandant lufte të shkolluar dhe një veprimtar të shkëlqyer, si dhe dy djem në lulen e rinisë, vetëm pse i njohën dhe i respektuan institucionet e vendit të ndërtuara nga Presidenti Rugova dhe nuk u nënshtruan para kërcënimeve”, ka shkruar Osmani.

Ajo tha se është detyrim që të ndërtojnë shtet ligjor i cili vendos drejtësi për krimet e kryera dhe jo vetëm të bëhet thirrje për drejtësi.

“Për më tepër, vrasja e tyre, sikur edhe e shumë veprimtarëve të tjerë, mbeti sot e kësaj dite e pazbardhur. Andaj, derisa e rikujtojmë sot këtë humbje të madhe, nuk mjafton vetëm të bëjmë thirrje për drejtësi, por duhet t’ia kujtojmë vetes po ashtu se është detyrim yni që të bëjmë shtet ligjor, i cili i mbron qytetarët e vet dhe e vendos drejtësinë në vend për krimet e kryera, të çfarëdo kohe qofshin ato. Vepra e komandant Zemaj mbetet e shënuar në historinë e Kosovës dhe gurëthemel i përpjekjeve për pavarësi”, ka shkruar Osmani.