Vjosa Osmani ia ndërpret mandatin në KQZ, Nenad Rikalos të Listës Serbe

U.d. së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim t’ia ndërpresë mandatin në Komisionin Qendror Zgjedhor, përfaqësuesit të Listës Serbe, Nenad Rikalo.

Osmani ka thënë se ky vendim është marrë pasi që Rikalo, ditë më parë nga Qeveria e Serbisë ka marrë pozitë të lartë në të ashtuquajturën “Zyre për Kosovën”.

Sipas Osmanit, duke marrë atë pozitë, Rikalo ka shkelur integritetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, betimin e dhënë me rastin e emërimit si dhe ka vënë në rrezik kushtetutshmërinë e funksionimit të këtij institucioni.

Njoftimi i plotë i Osmanit:

Sot, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe legjislacionin në fuqi ia kam ndërprerë mandatin e përfaqësuesit të Listës Serbe në KQZ, Nenad Rikalo, meqë ai ka marrë pozitë të lartë në të ashtuquajturën “Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë’.

Zyrtarët e emëruar në institucionet publike të Republikës së Kosovës kanë obligim primar t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës sonë, Republikës sonë dhe institucionit ku ata punojnë. Duke u angazhuar në një pozicion publik në Qeverinë e Serbisë, Z.Rikalo ka shkelur integritetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, betimin e dhënë me rastin e emërimit si dhe ka vënë në rrezik kushtetushmerinë e funksionimit të këtij institucioni.

Prandaj, pas shkresës që më është dërguar nga KQZ-ja, ia kam ndërprerë mandatin si dhe kam kërkuar nga Lista Serbe që të propozojnë emrin e ri për përfaqësues të tyre në KQZ. Natyrisht që nuk do të dekretojë emra të cilët duke u angazhuar në pozita në Qeveri të Serbisë, kompromentojnë sovranitetin dhe funksionimin kushtetues të institucioneve tona të pavarura.