Demokracia në Veprim (DnV) ka ngritur shqetësime serioze lidhur me procesin e numërimit të votave, pasi nga verifikimi i vetëm 33 vendvotimeve janë identifikuar mospërputhje të mëdha në numërimin e votave të kandidatëve.
Sipas Eugen Cakollit nga DnV, dallimi total i votave të evidentuara në këto vendvotime tejkalon 2,200 vota krahasuar me rezultatin real. Ai thekson se në disa komuna, dallimet në votat e kandidatëve të vetëm dy partive politike arrijnë në qindra vota.
Prizreni, sipas tij, prin me mbi 700 vota dallim të identifikuara në vetëm dy vendvotime, ndërsa në raste të caktuara, për një kandidat të vetëm, pas verifikimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), rezulton se janë shtuar mbi 100 vota në një vendvotim të vetëm.
Cakolli vlerëson se këto dallime nuk mund të arsyetohen si “gabime të vogla njerëzore”, duke shtuar se kur devijimet janë kaq të mëdha dhe të përhapura gjeografikisht, ato tregojnë qartë për një problem sistemik në procesin e numërimit.
Ai paralajmëron se në një sistem zgjedhor me lista të hapura, këto mospërputhje mund të ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen e kandidatëve dhe rrjedhimisht në përbërjen e ardhshme të Kuvendit.
Sipas DnV-së, kjo situatë është pasojë direkte e centralizimit të numërimit në Qendrat Komunale, larg vendvotimeve dhe me nivel minimal të vëzhgimit. Cakolli thekson se të dhënat e publikuara janë argument i fortë se ky model i numërimit ka qenë dhe mbetet i gabuar, duke nënvizuar se numërimi digjital përfaqëson të ardhmen e procesit zgjedhor.







