Standardet e dyfishta

Vetëvendosje reagon për Gani Thaçin, por ishte e heshtur tërësisht për sulmin e vëllait të Rexhep Selimit ndaj policit

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për media, ka reaguar ndaj përfshirjes në përleshje fizike të vëllait të Hashim Thaçi, por të njëjtën gjë nuk e kishte bërë kur vëllai i Rexhep Selimit, Ramadan Selimi, kishte sulmuar një polic të Kosovës, transmeton Ballkani.info.

Vetëvendosje thotë se, “në Kosovë janë 14 kompani të sigurimeve të lincencuara nga Banka Qendrore e Kosovës. Janë dhe 24 kompani të licencuara për ndërmjetësues të sigurimeve. Të gjitha këto veprojnë në tregun e mbi 86 milionë eurove me mbi 2000 punëtorë e do të duhet të ishin të mbikëqyrura nga Banka Qendrore”.

Midis bankës e këtyre kompanive qëndron një institucion tepër problematik referuar historikut dhe personave të punësuar në të, sipas këtij subjekti politik. Ky institucion është Byroja e Sigurimeve, që drejtohet nga Gani Thaçi.

“Personin në fjalë askush s’do ta përmendte nëse do të ishte vetëm një zyrtar i thjeshtë i Byrosë. Incidenti i sotëm do të konsiderohej përnjëmend “sporadik”. Problemi është se në çdo kompani që vepron në Kosovë, apo që do të fillojë të veprojë, nuk mundet të operojë pa u marrë vesh apo pa u përplasur me Gani Thaçin”, thuhet në komunikatë.

“Gani Thaçi, ose mafiozi i tregut të Sigurimeve në Kosovë, arriti të emërohej zyrtarisht nga Banka Qendrore vetëm në vitin 2017 edhe pse për vite të tëra punonte në Byronë e Sigurimeve madje dhe si drejtor e zëvendësdrejtor i saj. Banka Qendrore e konfirmoi një vit më parë në pozitën “Koordinator i Përgjithshëm për Planifikime Strategjike” në Byronë e Sigurimeve. Duhet theksuar se roli i Bankës Qendrore në këtë sektor nuk ka qenë mbikëqyrja e kontrolli edhe për shkak të llojeve të Guvernatorëve që i ka pasur dhe ka. Të gjithë të zgjedhur e të përzgjedhur nga PDK e krerët e saj, veçanërisht nga Hashim Thaçi. Ky institucion ka dështuar qëllimshëm në kryerjen e misionit të tij”, vlerëson Lëvizja Vetëvendosje.

Partia e Albin Kurtit thotë se problemet në sektorin e sigurimeve lidhen kryesisht me një interes të shtuar për rritjen e primit, me qëllim mbulimin e humbjeve që burojnë nga keqmenaxhimi në këtë sektor. E jo vetëm, por edhe nga monopolizimi i ndarjes së hiseve të tregut arbitrarisht për të gjitha kompanitë e sigurimeve, nëpërmjet shitjes së policave të sigurimit nga ana e një ndërmjetësuesi, natyrisht të kontrolluar nga ta.

Këto humbje në mënyrë false, sipas Vetëvendosjes, i mbulon çdo vit raporti i Bankës Qendrore duke lejuar manipulim me rezerva, shtyrje të kompensimeve, shtyrje të afateve për shtim kapitali etj., duke krijuar favorizime për disa e dëmtime për disa të tjerë.

“Banka Qendrore si institucion monitorues dhe rregullues është shkaktar dhe hisedar në krizën e thellë që e ka kapluar industrinë e sigurimeve. Konkretisht këto probleme kanë të bëjnë me moskapitalizimin e kompanive, humbjet e akumuluara të tregut të sigurimeve (nga 40-60 milionë euro) si dhe dëmet e nënvlerësuara si dhe rezervat për dëmet e nënvlerësuara skajshmërisht. Për qytetarët që sigurohen këto përpjekje nënkuptojnë rritjen e çmimit të sigurimeve edhe shtyrjen deri në pafundësi të kompensimit të dëmeve. Kjo shtyrje që lejohet haptazi nga Banka Qendrore ndihmohet edhe nga sistemi i kapur i drejtësisë krijojnë fitimin e kompanive në kurriz të qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

Në mars të këtij viti, vëllai i Rexhep Selimit, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ramadan Selimi, e kishte sulmuar fizikisht policin A.I., pasi që Selimi e kishte ndalur veturën duke penguar komunikacionin dhe nuk i kishte përfillur urdhrat e policit, të cilin më pas e kishte sulmuar në të dy këmbët.

Lëvizja Vetëvendosje kishte heshtur tërësisht për këtë rast. /Ballkani.info/