“Veteranët”: Gjykata ndalon publikimin e dhënies së mbrojtjes së të akuzuarve deri sa të deklarohen të gjithë

U mbajt sot seanca gjyqësore për rastin “Veteranët”. Kjo seancë ka filluar me rreth një orë vonesë pasi që gjykata ka pasur telashe që të kyçet në mënyrë virtuale me të akuzuarin, Fadil Shurdhaj, i cili këtë seancë po e përcjell në këtë mënyrë për shkaqe shëndetësore.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndaluar publikimin në media të dhënies së mbrojtjes së të akuzuarve në rastin “Veteranët”.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata po akuzohen për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, raporton ksp.

Edhe gjatë kësaj seance gjyqësore 12 të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Gjykata Themelore në Prishtinë medieve ua ka ndaluar publikimin e dhënies së mbrojtjes së të akuzuarve në rastin “Veteranët”.

Kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj tha se dhënia e mbrojtjes mund të incizohet dhe filmohet po ajo nuk mund të publikohet deri në përfundimin e dhënies së mbrojtjes nga të gjithë të akuzuarit.

I akuzuari, Agim Çeku, është i pari i cili është ftuar që para trupit gjykues ta japë mbrojtjen e tij. E trupi gjykues ka kërkuar që 11 të akuzuarit tjerë ta lirojnë sallën në mënyrë që të mos jenë në dijeni lidhur me përgjigjet e të akuzuarit gjatë marrjes së tij në pyetje.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.