Veseli: Sylejman Selimi është sinonim i të vërtetës të UÇK-së

Për lirimin me kusht të Sylejman Selimit nga burgu, ka shkruar edhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Ai ka thënë se ish-komandanti i përgjithshëm i UCK-së është sinonim i të vërtetës së kësaj lëvizje çlirimtare.

“E vërteta mund të vonohet, por ajo gjithmonë triumfon. Sylejman Selimi është sinonim i të vërtetës së UÇK. MIRË SE VJEN KOMANDANT!”, ka shkruar Veseli në facebook.

Ish-komandanti i njohur si “Sulltani” është liruar me kusht të premten. Lirimin e tij e ka mundësuar Paneli për Lirim me Kusht.

Sylejman Selimi do të jetë nën mbikëqyrje të Shërbimit Sprovues të Kosovës deri më 30.10.2020.

Selimi ishte arrestuar në maj të vitit 2013 dhe ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë më 27 maj 2015 duke u dënuar më 6 vjet burg.

Ndërsa, më 7 qershor 2018 është mbajtur rigjykimi për “Drenica 2”, më 11 qershor është mbajtur për “Drenica 1”. Për këtë edhe avokati i tij, Tomë Gashi, pati thënë ditë më parë se pa asnjë të drejtë ligjore po vazhdon të mbahet në burg Sylejman Selimi tash e tre muaj.