Kryeparlamentari

Veseli: PDK-ja e fortë, garanci për sovranitetin dhe territorin

Partia Demokratike është partia e vetme në Kosovë e cila do ta garantojë sovranitetin, integritetin dhe zhvillimin e vendit. Kështu tha kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në hapjen e Konventës zgjedhore të degës së PDK-së në Prishtinë.

“Sa më e fortë është PDK-ja, aq më i garantuar është sovraniteti dhe integriteti territorial, aq më e fuqishme është Republika e Kosovës. Ka nevojë Kosova për një vizion, i cili i ofron stabilitet zhvillim, të ardhme. Nuk ka nevojë Kosova për me e vë në pikëpyetje të sotshmen e vet”.

“Ta ruajmë këtë që e kemi arritur me mënyrën e shenjtë. Në asnjë moment të historisë së vet nga krijimi këto procese të shtetndërtimit ne nuk kemi nevojë ta ulim kokën. Sepse kemi me qenë me popullin, me qytetarët tanë. 10 vite ma herët shumëkush nuk ka besu që Kosova do të qëndrohet vetëm financiarisht. A kemi bërë mjaft? Jo, kemi edhe shumë për të bërë. Po na e pranojmë, edhe kemi gabu, kemi qenë shumë më të mirë se oponentët tanë, por edhe kemi gabu se nuk është lehtë me jep jetën për vendin tonë”.

Veseli tha se vizioni i PDK-së është ndërtimi i shtetit në besim e integrim.

“Ky është vizioni jonë në dekadën e dytë të shtetit, ta ndërtojmë shtetin tonë në besim e integrim. Kush mundet ma mirë me bë sesa PDK. Garancë e kufijve e sovranitetit integritetit tonë janë institucionet e Kosovës. Nuk do të lejojmë asnjëherë që të cenohet asnjë kilometër e territorit të Kosovës. Duhet të punojmë më shumë dhe me më shumë vendosshmëri”.

Veseli bëri thirrje që fatin ta shndërrojnë në vizion e vendosmëri.

“Ta shndërrojmë fatin në vizion dhe vendosshmëri. Prishtina krahas Prizrenit është identiteti ynë shtetëror. Duhet të jemi shumë vetëkritikë. A jemi afruar mjaft te qytetarët e Prishtinës. A kemi fituar ne këto 19 vite me këtë qeverisje në Prishtinë. Nuk është e mjaftueshme të themi se vetëm po keq-qeveriset. E mjaftueshme është që ta afrojmë njerëzit e Prishtinës. Orientohuni nga familjet më të mira të cilat kanë etikë, patriotizëm e intelektualizëm.”

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se Partia Demokratike e Kosovës ka kapacitet intelektual e profesional.

Sipas Hoxhajt, PDK-ja është parti e ideve politike.

“PDK ka kapacitet edhe intelektual, edhe profesional. Shihet që na nuk jemi vetëm parti që jemi në pushtet, por jem parti edhe e ideve politike. Përvoja jonë në këto 10-12 vite e ka ndryshu Kosovën. Por këtë ndryshim nuk kemi arritë me bë në Prishtinë”.

Hoxhaj tha se nuk duhet që Prishtina të imagjinohet pa PDK-në dhe anasjelltas.

“Nuk duhet ta imagjinojmë PDK-në pa Prishtinën e as Prishtinën pa PDK-në.Dekada e Re e PDK-së fillon në Prishtinë dhe Dekada e Re përmbyllet në Prishtinë, kur të fitojmë pushtetin në Prishtinë. Ftoj që këtë takim ta marrim shumë seriozisht”.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se jeta e qytetarëve ka ndryshuar kur Partia Demokratike e Kosovës ka ardhur në pushtet, raporton EO.

“Jeta e qytetarëve ka ndryshu atëherë kur PDK ka ardhë në pushtet. Fatkeqësisht Pristina ka mbetë një qytet që nuk i plotëson ëndrrat e qytetarëve. Kemi një komunë, një qeverisje që i përshtatet disa personave, por jo qytetarëve të Prishtinës”.

Sipas Ismailit, zgjedhjet e ardhshme do ta shënojnë fitoren e PDK-së në Prishtinë.

“Sot kemi me fillu me Dekadën e Re, do ta hapë etapën për fillimin e ndryshimit në Prishtinë. Do të kemi një shtrirje shumë më të madhe, më të fuqishëm dhe rrjedhimisht do të jemi të përgatitur për zgjedhjet e ardhshme të cilat do të shënojnë fitoren e PDK-së në Prishtinë”.

Lirak Çelaj, kryetar i degës së PDK-së në Prishtinë, tha se “Dekada e Re” me në krye Kadri Veselin, do ta ndërrojë të ardhmen e Kosovës.

“PDK po hyn në një proces para një misioni që është Dekada e Re. Kam besim të fortë që ky program do të ndikojë edhe në procesin. Do të zgjedhë njerëz të rinj”.

“Dekada e Re ka të bëjë me zhvillim ekonomik me një të ardhme. Zgjedhni më të mirët, njerëzit e rinj. Me Dekadën e Re në krye me zotërin Veseli do ta ndërrojmë të ardhmen e vendit tonë. Shpresoj që ky proces do t’i nxjerrë njerëzit e duhur dhe do ta sjellin edhe krenarinë, edhe Prishtinën që ta kthejmë partinë në vend të parë e qytetit t’ia kthejmë dinjitetin”.