Veseli lanson Fondin Rinor për zhvillim të ndërmarrësisë ​​

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në lansimin e Fondit Rinor prej 1.1 milionë euro që e ka iniciuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila ka për qëllim mbështetjen e të rinjve në idetë e tyre për zhvillimin e mdërmarrësisë.

Kryeparlamentari Veseli tha se ndjehet i kënaqur që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po i ndihmon të rinjtë të zhvillohen. Ai tha se është obligim i institucioneve që të përkrahen njerëzit inovatorë, që krijojnë vende pune.

“Targeti kryesor janë të rinjtë, të cilët janë aseti më i jashtëzakonshëm i Kosovës. Institucionet e kanë obligim të përkrahin njerëz ndërmarrës dhe që kanë ide, të cilët mund të krijojnë punësim”, tha kryeparlamentari Veseli.

Veseli tha se para 20 vjetëve në Kosovë ka ekzistuar një tendencë për zhdukjen fizike të qenies shqiptare dhe është bërë shkatërrim total i ekonomisë industriale dhe familjare nga ana e Serbisë. Tani, shtoi ai, Kosova është duke ecur në drejtimin e duhur, por ka edhe shumë gjëra që duhet bërë më mirë.

Në lansimin e Fondit Rinor sot u ndanë mbi 200 mijë euro për 21 OJQ, që për qëllim kanë rritjen e punësimit të të rinjve në Republikën e Kosovës.

“Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim idetë e të rinjve dhe do t’i përkrahim në çdo iniciativë, në mënyrë që gjejnë perspektivë në shtetin e Kosovës. Ky projekt dhe gjitha investimet që po i bëjmë në fushën e kulturës, rinisë e sportit, nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen e pakursyer të kryetarit Kadri Veseli. Falë kësaj mbështetje ne si ministri këtë vit e kemi të dyfishuar buxhetin”, tha ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Edhe përfituesit e projekteve nga ky Fond falënderuan kryeparlamentarin Veseli dhe ministrin Gashi për lansimin e këtij fondi për mbështetjen e rinisë.