Veseli: Kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të hapet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, sot u taku me ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, me të cilin ka biseduar rreth gjendjes së krijuar me COVID-19.

Me këtë rast i pari i PDK-së Kadri Veseli, kërkoi që kufiri në mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të hapët, në mënyrë që qytetarët të jenë të lirë të qarkullojnë.

“Unë jam në komunikim intensiv me të gjithë bartësit e institucioneve dhe partive politike në republikën e Shqipërisë. Ne jemi shqiptarë kufiri duhet të hapet për faktin se qytetarët duan të lëvizin, siç lëvizin në Drenicë që ishim bashkërisht ashtu duhet të shkojmë edhe në Sarandë dhe Durrës, kufijtë duhet të hapen dhe të mbrohet shëndeti publik përmes ministrive tona përkatëse dhe instituteve tona kombëtare të shëndetësisë, kjo është kërkesa ime Kosova duhet të hapet nga Shqipëria, duhet bllokohen konvojat e ardhjes masive nga Serbia të cilat po e rrezikojnë vetë Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran”, thotë Veseli, raporton KP.

Kurse ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, thotë se në këtë takim janë diskutuar të krijohen premisa që në një të ardhmen të shpejt të hapet kufiri.

“Pata kënaqësinë sot që të pres sot në takim kryetarin Veseli, për të shkëmbyer mendime, një informacion të përbashkët lidhur me situatën e koronavirusit në Shqipëri, hapat që janë bërë dhe për një bashkëpunim të mëtutjeshëm të institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës, që të krijojmë premisa që në një të ardhme të shpejtë për të parë mundësinë e hapjes së kufirit të dyanshëm që shtetasit e Kosovës të shkojnë në Shqipëri dhe anasjelltas, po më tepër tërheq deti në këtë aspekt dhe besoj që me këtë ecuri që ka deri tani në muajt në vazhdim të kemi lajme të mira”, thotë Minxhozi.