Veseli: ​Vendet e BE-së do të jenë të përfshira në dialog së bashku me SHBA

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, deklaroi sot se vendet e BE-së do të jenë të përfshira në procesin e dialogut së bashku me SHBA në arritjen e një marrëveshje historike Kosovë-Serbi, e cila do t’i hapë perspektivë më të mirë gjithë Ballkanit Perëndimor.

Ai pas takimit me delegacionin francezo-gjerman në Prishtinë, ka bërë të ditur se nuk ka pasur kërkesa të veçanta nga delegacioni evropian.

“Gjermania dhe Franca janë përkrahë Kosovës në rrugëtimin tonë euroatlantik. Jam shumë i bindur se Gjermania dhe Franca do të përkrahin Kosovën po ashtu edhe në liberalizimin e vizat për qytetarët tanë, e cila shpresojmë se do të ndodhë ketë vit. Qëndrimet tona ishin shumë unike, të cilat lidhen me mandatin tonë kushtetues, mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Është ditë e mirë për Kosovën për vetë faktin se dy vende si Gjermania dhe Franca janë përkrahë nesh, krahas një partneriteti me SHBA”, tha Veseli.

Ai ka bërë të ditur se pala kosovare në samitin e Parisit në korrik do të shkojë edhe më e përgatitur, ndërsa i bëri thirrje opozitës, siç u shpreh, që të jenë pjesë e këtij komunikimi dhe bashkëpunimi për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj.