Vërshimet në Klinë, problem i pazgjidhur i Komunës

Reshjet atmosferike në Klinë janë të mëdha dhe si pasojë e tyre, bëhen dëme të konsiderueshme materiale në ekonominë familjare dhe atyre biznesore. Gjatë stinëve kur reshjet atmosferike janë të mëdha, këta lumenjë grumbullojnë nivel të lartë të ujit, dhe në pikat ku bëhen bashkë, dalin nga shtrati duke përmbytur shumë shtëpi dhe biznese. Dëme të mëdha bëhen në tërë territorin e Klinës, por dy nga vendet ku preken më së shumti nga këto vërshime, janë resortet turistike dhe fshati Zajm.

Pronarët e bizneseve të dëmtuara dhe banorë të ndryshëm, thonë se këto vërshime dhe dëme, vijnë si arsyje e prurjeve të mëdha të disa lumenjëve që gravojnë afër këtyre lokaliteteve.

Në 308 km katrorë sa ka Komuna e Klinës, gravojnë 5 lumenjë:

Lumi Drini i Bardhë, Lumi Mirusha, Lumi Klina, Bistrica e Pejës dhe Bistrica e Istogut.

Për këtë problem të vazhdueshëm biseduam me njërin nga pronarët e resortit turistik.

I.R. theksoi se për ta si biznes i ri hotelier përmbytjet nga të reshurat e mëdha atmosferike, që ndodhin pothuajse çdo vit, janë problem i madh financiar. Dëmet materiale që ju shkaktojnë këto përmbytje, arrijnë shuma të mëdha, dhe komuna këto dëme ia kompenson atyre vetëm për 20 përqind.

“Ne kemi pasur pothuajse çdo vit përmbytje. Herë më të mëdha e herë më të vogla po që nuk kemi shpëtuar asnjëherë pa dëme materiale. Këto dëme materiale janë të konsiderueshme, arrijnë shifra shumë të mëdha mbi 10 mijë e 20 mijë euro. Kjo është vepër e natyrës, askush s’mund ta ndalë borën as shiun, kemi bisedu me përgjegjësit e kësaj çështje dhe ata duhet me marrë masa që me na mbrojt neve si biznese sepse prej kësaj pune jetojmë. Kemi bisedu me ta, ata janë të njoftuar me këto probleme që i kemi ne, edhe sa herë kemi përmbytje vijnë na vizitojnë. Vjen kryetari i komunës dhe e vetmja zgjidhje për ta është pastrimi, rregullimi dhe zgjerimi i shtretërve të lumenjëve”, ka thënë ai.

 Vërshmet vijnë nga të reshurat e mëdha te shiut në kohën kur bëhet edhe shkrirja e borës nga kodrat përreth lumit Mirusha, i cili del nga shtrati i tij, pasi të jetë bashkuar me lumin Drin dhe Bistricë.

Kjo masë e madhe e ujit nga këta 3 lumenjë, mbulon ultësirën përreth këtyre lumenjëve ku ekziston biznesi i tij hotelier, dhe disa biznese të tjera aty afër.

Masa e madhe e ujit të grumbulluar depërton brenda objektit dhe arrinë lartesinë deri në dy metra.

                           Pamje nga përmbytjet në fshatin Zajm, Komuna e Klinës.  

E vetmja masë për t’u mbrojtur dhe evituar këto përmbytje është zgjerimi dhe rregullimi i shtratit të lumenjëve në fjalë.

Në fakt, zgjerimi dhe rregullimi i shtretërve te këtyre lumjeneve sipas z. I.R. ka qenë premtim i vazhdueshëm i Ministrisë së Ambientit dhe Kryetarit te Komunës.

“Çdoherë që na kanë vizituar, kanë premtuar projekte të reja për rregullimin e problemit, por nuk po ndodhë asgjë konkrete.” shtoi ai.

Gjthashtu për këtë çështje u prononcuan për pak sekonda Zyrtarë të Drejtorisë së Financave, ata të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, dhe dy nga arkitektët e Komunës së Klinës.

Të tri këto dikastere relevante te kësaj problematike, konfirmuan se Komuna e Klinës perballet me te reshura te mëdha atmosferike dhe vërshime te cilat  krijojnë dëme te mëdha materiale në disa ekonomi familjare dhe biznese private.

Në Drejtorinë e Bujqësisë, u tha se këto dëme të shkaktuara, pas vlerësimit nga komisioni i formuar, është marrë vendimi qe dëmet të kompensohen në shumën 20 perqind.

Ndërkaq, arktitektja e komunës tha se vitin e kaluar është bërë pastrimi i këtyre lumenjve nga shkurret, drunjët dhe mbeturinat inerte.

“Gjatë këtyre viteve ne jemi munduar ta bëjmë pastrimin e shkurreve, drunjëve dhe heqjen e mbeturinave inerte në këta lumenjë”, ka thënë ajo.

Sipas zyrtarëve komunal, kjo shumë ngarkon buxhetin e komunës dhe kjo shumë e kompensuar është shumë e vogël për të dëmtuarit, të cilët 80 përqind detyrohen ta paguajnë vet. Mbulimi i tërësishëm i dëmeve, del të jetë shumë i madh edhe për buxhetin e komunës, prandaj  zgjidhja e kësaj problematike është tejet e vështirë.

“Deri tash në funksion është projekti i 20%, dhe kaq janë mundësite deri tani. Buxheti i limituar, kaq na lejon.” thanë ata.

“20% e buxhetit të Komunës së Klinës shkon për të gjithë ata të prekur nga ky fenomen natyror, kjo përqindje mund të jetë e vogël për të dëmtuarit mirëpo për ne është e madhe duke marrë parasysh buxjetin e komunës.” , kanë thënë nga Zyra për Financa.

Në të kaluarën, edhe vet qendra e qytetit të Klinës përballej me këtë problem. Mirëpo, me rregullimin e shtratit të lumit Klina, nga një investim komunal, ky problem është zgjidhur. E në periferi, vërshimet dalin të jenë problem, mbi të cilin Komuna e Klinës, me të gjitha kapacitetet e saj, nuk arrinë t’i gjej zgjidhje përfundimtare.

Albin Jashari dhe Dea Behrami janë studentë të vitit të I-rë të gazetarisë në Departamentin e Gazetarisë të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.