Propaganda

Veriu i Mitrovicës, nuk ka ‘katastrofë humanitare’

Përkundër që u paralajmërua se në veri të Kosovës është duke u përgatitur një krizë humanitare e cila do niste qysh sot, gjendja në atë pjesë të Kosovës është stabile dhe të gjitha dyqanet janë duke funksionuar.

Se gjendja është stabile në veri të Mitrovicës ka thënë edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti.

Ndonëse paralajmërimin për ‘katastrofën humanitare’ në veri të Kosovës e konsideron si veprim ekonomiko- politik, Hoti thotë se deri tani nuk ka ndonjë indikacion që ndikon në aspektin e sigurisë.Sipas tij, Policia e Kosovës është e gatshme t’u përgjigjet detyrave të saj në cilëndo situatë. Lidhur me paralajmërimin e krizës humanitare në veri, politologu Musa Preteni e sheh vetëm si një mekanizëm që po përdoret nga Serbia për të rritur presionin ndërkombëtar ndaj Kosovës për të hequr taksën.

Edhe pse vendimin për vendosjen e tarifës ndaj produkteve serb e konsideron të duhur, Preteni thotë se politika e Serbisë është duke e përdorur popullatën civile serbe që jetojnë në Kosovë për të bërë presion tek bashkësia ndërkombëtare.

Sipas politologu derisa nuk ka veprime konkrete informacioni se do të ndodh një katastrofë humanitare në veri të Kosovës, është vetëm një balancë provues.Ai beson se bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës tashmë veç e kanë kuptuar që në veri të Kosovës nuk mund të ketë një krizë humanitare.Ndaj këtij plani ka reaguar ditë më parë edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili përmes rrjetit social Facebook ka ftuar kryetarët e komunave në veri dhe qytetarët që të mos bien pre e këtyre provokimeve.

Për katastrofën humanitare në veri ditë më parë ka raportuar KosovaPress, ku përmes burimeve të saj, kishte mësuar se personat e angazhuar përgjegjës për një organizim të tillë janë Radosh Petroviq, Goran Vllashkoviq, Bojan Jakshiq – Cojo, Sllavisha Staniq, Radulle Steviq etj, të gjithë këta njerëz shumë të besueshëm të kapos së krimit në atë pjesë, Millan Radojçiqit. Po ashtu, kishte raportuar se ky organizim do të asistohet me logjistikë dhe forma tjera edhe nga organizata e ashtuquajtur ‘Civilna Zastita’ në veri, e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviq.