Ambasada e Republikës së Kosovës në Panama, në kuadër aktiviteteve për promovimin e produkteve të Kosovës, të premten në një aktivitet të muajit të Frankofonisë në Panama, prezantoi Kosovën përmes verërave të verarisë “Kosova Wine”.

Në këtë ngjarje të organizuar nga Aleanca franceze në Panama, Republika e Kosovës, edhe këtë vit mori pjesë e në këtë aktivitet të rëndësishëm të diplomacisë kulturore, ku Ambasadat e shteteve anëtare të Frankofonisë në Panama gjatë gjithë muajit mars prezantuan diversitetin brenda kësaj organizate me aktivitete të ndryshme.

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama, Zana Rudi, tha se edhe këtë vit, Kosova pati vëmendje të veçantë në përmbylljen e aktiviteteve të Muajit të Frankofonisë, duke falënderuar verarinë “Kosova Wine” për sjelljen e verërave në Panama.

Ajo theksoi se pjesëmarrja e Kosovës është vlerësuar lartë edhe nga Aleanca Franceze si organizatore e kësaj ngjarje, të cilët kanë shprehur konsideratat më të larta për Ambasadën e Republikës së Kosovës në Panama e cila për tri vite me radhë po ofron verë të cilësisë së lartë nga Kosova duke kontribuuar kështu në prezantimin e diversitetit kulturor dhe vlerave brenda Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Ambasadorja Rudi tha se ndihet jashtëzakonisht mirë që interesimi i publikut panamez e veçanërisht i ambasadorëve pjesëmarrës dhe përfaqësues tjerë të lartë në këtë eveniment të rëndësishëm ka qenë shumë pozitiv dhe vazhdimisht po shënon rritje.