Vendosen 6 kompanitë e para në Parkun e Inovacionit

Kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori gjerman Jorn Rohde kanë vlerësuar lart vendosjen e bizneseve të para në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren.

ITP në Prizren është një projekt i përbashkët kosovaro-gjerman që synon të krijojë një mjedis tërheqës biznesi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Parku do të kontribuojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës duke tërhequr investime dhe sjellë inovacion.

Për këtë kryeministri Kurti tha se ky park i cili për më shumë se dy dekada ishte kamp ushtarak për trupat e KFOR-it gjerman, tani është shndërruar në urë lidhëse ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre ndërkombëtare.

Kryeministri nga aty ka ftuar mërgimtarët ndërmarrës që të shfrytëzojnë këtë platformë dhe të sjellin investimet e tyre në teknologji, industri e bujqësi si dhe fushat e tjera të cilat janë profitabile.

“Ne do ta përkrahim dhe do ta ndihmojmë që sa më shumë bashkatdhetarë nga diaspora të sjellin investime përmes kësaj pike të takimit… Si qeveri reformuese besojmë fuqishëm në mundësitë e shumta dhe transformuese, të cilët i sjell teknologjia informative. Besojmë se digjitalizimi është mjet me të cilin sidomos të rinjtë tanë bëhen pjesë e tregut global dhe pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm këtu në Kosovë. Qeveria jonë e sheh ITP-në si një katalizator të rëndësishëm në modernizimin e ekonomisë së Kosovës. Ne jemi plotësisht të për kushtuar që ky projekt të jetë tregim i suksesit. Jam i sigurt që Prizreni si kryeqytet kulturor dhe me traditë të lashtë të tregtisë do t’i mirëpresë bizneset që do të hapin vende të reja të punës e të cilat do ta zhvillojnë ekonominë lokale. Sa më shumë investime, ekonomi, zhvillim, punësim aq më mirë jo vetëm për shoqërinë, por edhe për politikën”, tha Kurti.

Ambasadori Rohde theksoi se mbështetja gjermane për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës dhe posaçërisht për ITP-në në Prizren është e palëkundur.

Ai tha se ITP ka një potencial të madh për të shërbyer si një destinacion për investime nga diaspora në Gjermani – qoftë në sektorin e TIK, në digjitalizim, në përpunimin e produkteve ushqimore dhe bujqësore, industritë kreative ose edhe në sektorët tjerë relevant.

“ITP-ja është një projekt i shquar dhe i dalluar dhe është një simbol i bashkëpunimit tonë të përbashkët Gjermano-Kosovar dhe ai shquhet për inovacion për qëndrueshmëri në veçanti për vende të punës për të rinjtë këtu. E di që pandemia e ka vonuar gjithë procesin, por është me rëndësi të theksojmë që ky projekt është me shumë rëndësi dhe po ashtu t’i tregojmë publikut kosovar dhe atij gjerman që ky moment është i rëndësishëm dhe që Kosova po bëhet një vend i investimeve. Ashtu sikurse në Gjermani, më në fund ky projekt po fillon këtu në Prizren, dhe kompani të tjera janë të gatshëm të vijnë”, tha Rohde.